E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja në kërkim të Dalai Lamës së ri

u3_ndrecaNga Ardian Ndreca

Procesi mbrenda PD-së e ka humbë deri edhe fasadën e zgjedhjes apo të përzgjedhjes së kryetarit të saj dhe asht kthye në nji kërkim mistiko-fetar, nji kërkim i Dalai Lamës së ri që do të marrin në duer pushtetin partiak. Por a mund të jetë Lulzim Basha Dalai Lama i ri PD-së?

Ai asht tipi i njeriut të cilit nuk i ngjitet asnji lloj autoriteti. Edhe po të veshte pallton e Napoleonit menjiherë mbas betejës së Austerlicit të gjithë ushtarët do të shkonin ma parë me i thirrë urra atendentit të kuzhinës fushore apo prostitutave të fshatit përbri sesa atij. Imagjinoni po të veshte kilotat e Napoleonit menjiherë mbas Waterloo-së, e data 23 qershor ka qenë nji Waterloo!

Berisha e ka konceptue gjithmonë pushtetin si nji character indelebilis, diçka e përzieme mes tribales dhe fetares. Ka preferue kryesisht fitoret apo vjedhjet plebishitare, edhe pse i ka pranue me qejf edhe ato me pak vota diferencë. Ai nuk ka qenë kurrë i mandatuemi i askujt, ai vetëm ka dhanë mandate, ka dërgue të tijtë herë me vu prita e herë me ra në prita por nuk ka njohtë realisht askënd sipër vetes.

Pushteti i tij ka pasë gjithmonë diçka prej atij që Max Weber quente pushtet tradicional, mbajtja e përcjellja e të cilit nuk asht e lidhun me kompetencat apo dijet, dhe pushtet karizmatik, që ndërthurë në vetvete karakterin e jashtëzakonshëm dhe personal të liderit.

Ndërsa Basha nuk ka asnji lloj karizmet, Berisha asht i dukshëm edhe kur sasht i pranishëm. Basha me Berishën janë larg siç asht mënyra kushtore me urdhnoren. Tropojani asht lider karizmatik e i ban ndjekësat me besue se ka cilësina magjike, asht demagog, profet (i rremë), ka dishepuj që e duen dhe e urrejnë njiheresh si fëmijë. Berisha nuk e njeh frikën për aq kohë sa ka pushtetin në dorë, madje atij nuk ia shtin mneren as vetvetja e pame në pasqyrën e vetmisë së ndërgjegjes.

Basha asht si nji krymb mëndafshit, i brishtë e i pambrojtun, i destinuem për përdorime femnore, prandaj nji shqytar si ai nuk i vlen askujt. Cilësitë e liderit nuk i kanë as femnat që militojnë në at parti, disa të kujtojnë egërsinë e matriarkatit, do tjera ngjasojnë me femna kazermash, të ashpërsueme prej eksperiencave e të përuluna njiheresh. Si Berisha nuk ka asnji në PD, madje edhe ai që dikush e pandehte deri vonë si ma i miri, Eduard Selami, në cirkun e PD-së doli se mund të luente vetëm pjesën e palaços.

Edhe pse Berisha asht nji lider karizmatik historia e tij padyshim që do të përfundojë shumë shpejt, i kanë shterrë forcat dhe nji Berishë i dytë nuk ekziston. Ky asht fati i politikës sonë, të cilën ai e transformoi nga nji derivat të lirisë pa frena në nji derivat kompleks të ligësisë dhe kaosit shpirtnor.

Në ketë aspekt Berisha ka qenë vijues i sistemit të maparshëm, pse po ai kaos ka qenë konstantja shpirtnore e vetë komunizmit, regjim ku programi i vetëm, i qartë dhe i pandryshueshëm ishte terrori, dhe gjithçka tjetër, aleancat, politikat ekonomike, paçavuret e ndryshme ideologjike ndërroheshin pesëqindmijëherë pa asnji skrupull. Berisha ka përfaqsue deri tash torturën e hijes së gjatë të nji regjimi që sa ma shumë largohej në kohë e aq ma shumë terr projektonte mbi ne.

Sot ka shumë gjasa që punët të marrin nji kthesë të vërtetë. Gjithsesi, berishizmi do të mbesin edhe për pak kohë në kambë, si faza e fundit shpirtnore e komunizmit oriental shqiptar e mandej do të kthehet nga ka ardhë, në asgja.

Sot, disa, me të drejtë shqetsohen për shtysat vetero-komuniste të PS-së. Për mue komunistat e vërtetë të PS-së nuk përbajnë rrezik pse janë veç do gogsima tnji ushqimi të pabluem, nji lloj pllakatizmit me bojna ujit që zbehen përditë e ma shumë nën rrebeshet e Nanës Natyrë.

Rreziqet janë të tjera, shumë ma të reja në gjendje civile, ma të mëdhaja dhe ma serioze.

Rama asht ende pa pushtet, madje ska pasë kurrë në dorë pushtet të mirëfilltë politik. Nesër ai do të jetë i mveshun me nji pushtet të papamë ma parë dhe kjo gja e ven para mundësisë me e përshpejtue kohën tue çlirue energji që do të mundësonin nji reformin rranjësor të gjithë shoqnisë. Do të shohim se çka do të jetë i zoti me ba!

Jam i bindun se ndër 12 mundimet e Herkulit, ai ma i lodhshmi dhe ma i vështiri nuk ka qenë as vrasja e luanit të Nemesë, as vrasja e Hidrës së Lernës apo kapja e demit kretez, por pastrimi i stallave të Augéas.

A propos, tek ne stallat ka 100 vjetë që nuk pastrohen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›