Kush e pengon zbatimin e vendimeve të gjykatave
-Letër e hapur për zotin Lulzim Basha
Nga Valbona Paluka
Nderimet e mia më të sinqerta për Ju zoti Basha për angazhimin tuaj të shprehur ditën e djeshme në media: Aksioni ynë politik duhet të nisë menjëherë. Ne do të luftojmë me të gjithë mjetet për të mbrojtur shërbimin civil nga revanshi që pritet të fillojë, përmes ngritjes së zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar çdo rast abuzivizmi të tillë, ngritjen e grupeve të posaçme juridike, në mënyrë që në përputhje me ligjet e vendit, kushdo që guxon të ngrejë hapa të tillë, të përballet në mënyrë të menjëhershme, nëpërmjet sistemit juridik shqiptar, me faturën ligjore, financiare dhe politike të një abuzivizmi të tillë.
Vërtet u gëzova, por në moment u kujtova: a nuk jam unë e larguar nga puna që në vitin 2010 si Drejtoreshë e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe kam fituar të gjithë shkallët e sistemit juridik shqiptar për rikthim në vendin e punës dhe pagën; jam me një vendim të Komisionit të Shërbimit Civil nëntor 2010; vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë në mars 2011; jam me një vendim të Gjykatës Kushtetuese për cenim të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor në korrik 2012; jam me një proces ligjor të hapur në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg… Dhe jam jo vetëm e pakthyer në pozicionin e punës, por edhe e papunë.
Jam ajo që ofrova njohuritë, eksperiencën dhe kontributin tim si eksperte e fushës së sigurisë ushqimore jo vetëm për ngritjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por edhe në Bashkinë e Tiranës në vitin 2011 ku jo vetëm nuk u pranova në strukturat e këtij institucioni, por nuk mora kurrë asnjë reagim për kontributin e dhënë.
A do ketë struktura të tjera juridike ku unë duhet të drejtohem për largimin tim nga puna?
A thua z.Basha se mungesa e zyrës dhe grupi i punës e bëri të pamundur ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë që merret Në emër të Republikës së Shqipërisë?
Unë jam rast konkret, publik, me vendimet gjyqësore të mia janë njohur të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës, kryetari i Këshillit të Ministrave, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ministri i Drejtësisë, Avokati i Popullit sepse unë kam kontribuar dhe besoj në shtetin ligjor.
Janë njohur me këto vendime dhe mosveprime të pushtetarëve shqiptarë edhe institucionet ndërkombëtare si OSBE, Delegacioni Evropian, Ambasada Gjermane.
Të gjitha këto hapa të ndërmarra nga unë janë në respekt të dinjitetit, punës dhe shtetit ligjor.
Por a nuk është ky një abuzivizëm flagrant i ndodhur, real, me faturë ligjore, financiare, morale? Pse duhet pritur për të filluar nesër me preokupimin tuaj në mbështetje të nëpunësit civil të cenuar.
A duhen zbatuar ligjet dhe vendimet e gjyqësorit vetëm për rastet imagjinare dhe të pritshme?
Z.Basha, ajo që duhet të bëhet me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe që nuk është bërë kurrë në këtë atdheun tonë të dashur është të vihet gishti mbi ata shtetarë që janë përgjegjës për largimet pa kriter nga puna, për ata që nuk zbatojnë vendimet e gjyqësorit, për shkaktarët e dëmeve morale e materiale ndaj të larguarit padrejtësisht nga puna, duke i bërë me ligj të paguajnë ata, dhe vetëm ata, të gjithë faturën financiare për individët.
Duhet ti themi stop teorisë se buxheti i shtetit paguan këto fatura. Shteti është bërë si lopa që ka përherë qumësht.
Përse me një vendim gjykate një të dënuari me burg i vihen prangat dhe shkon te vendi i tij i punës me apo pa pëlqimin e titullarit dhe me një vendim gjykate një nëpunës nuk mund të shkojë serbes në vendin e punës ku e ka kthyer një vendim që në krye mban shprehjen: NE EMER TE REPUBLIKES?
A është i pozicionuar një titullar institucioni mbi Kushtetutën e Republikës?
Jam e sigurt që shteti ligjor do të triumfojë dhe vendimet e gjykatave një ditë do të ekzekutohen, por kam bindjen se kjo bëhet vetëm me respektim të shtetit ligjor.
Unë marr kurajën qytetare të shpreh rastin tim, por janë dhjetëra qytetarë shqiptarë që vazhdojnë nëpërkëmben me gjithë vendimet gjyqësore për kthim në pune dhe u shkatërrohet dita- ditës imazhi dhe karriera profesionale.