E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia në provë

Në ditët, javët, muajt, vitet dhe dekadat e një shteti janë të pakta momentet kur sistemi politik vihet në provë. Për krijimin e tij duhen vite pune e përpjekje, kushtetuta dhe ligje, zgjedhje dhe debate politike, por për të provuar realisht funksionimin e tij mjaftojnë disa detaje që përbëjnë simbolikën dhe thelbin e natyrës së sistemit. Sistemi politik mund të ekzistojë, shteti mund të ekzistojnë, kushtetuta mund të ekzistojë, por ato janë të pamjaftueshme për një sistem funksional demokracie nëse nuk e kalojnë provën me sukses. Dita e provës për demokracinë, sipas presidentit të famshëm amerikan Roland Regan, është disa kur shtetari më i lartë dhe qytetari më i thjeshtë për të njëjtën akuzë, gjykohen me të njëjtin standard. Demokracia, sipas Regan, nuk pranon qytetarë të dyrës së parë, të dytë, të tretë; e drejta nuk mund të bazohet në dy standarde dhe sidomos në politikë, vlera dhe morali publik kanë peshë më të madhe se të gjitha produktet rrethanore të shifrave elektorale.
Më 1990 Shqipëria u nda nga sistemi komunist, por jo nga trashëgimia dhe pasojat katastrofale të tij. Mentaliteti mbeti i njëjtë, dosjet u mbyllën, e kaluara u arkivua, krimet mbetën pa autorë, sistemi komunist mbeti pa fajtorë, mungoi katarsisi shoqëror, mungoi sistemi i ri i vlerave që bën diferencën me një sistem antivlerë të bazuar tek dhuna, arroganca, propaganda dhe abuzimi masiv me shtetin, sovranin, të drejtën dhe interesat kombëtare. Pas 20 vitesh ne nuk kemi ende një procesi dinjitoz institucional ndarjeje me të kaluarën. Ata që drejtuan në sistemin komunist dhe që janë ende në jetë nuk pranojnë falje dhe as fajësi; për ata fajtor ishte vetë sistemi, jo njerëzit që krijuan, ushqyen, drejtuan dhe përdorën atë. Kjo alibi e pamoralshme jo vetëm u pranua me parullën elektorale “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” por edhe u bë nga viti në vit, moto udhëheqëse e një klase të re politike të krijuar në këto 20 vite. Bilanci i saj në drejtim të demokracisë funksionale është e mbetet gjithashtu zhgënjyes. Jo vetëm sepse nuk kemi bërë ende zgjedhje politike të pranuara nga gjitha palët, jo vetëm se partitë politike i krijuan ose i deformuam në ente propagandistike dhe ekonomike të liderëve politikë, jo vetëm sepse ende nuk kemi zgjidhur çështjen e dosjeve, të krimeve të komunizmit, kompensimit të përndjekurve politikë, të faljes morale për krimet e fajet. Pra, jo vetëm se nuk kemi bërë ende katarsis real shoqëror, por edhe se në 20 vite gabimisht kemi krijuam mitin e politikanit të paprekshëm, superpolitikanit që kontrollon e drejton pa kontroll, që nuk mban asnjë përgjegjësi për gjërat që bën e nuk bën, që e trajton shtetin e pushtetin si pronë private, që tallet me taksat e qytetarëve dhe nga shërbëtor i qytetarëve me vulat e firmat e zyrës së shtetit kthehet në biznesmen, sundues ndaj qytetarëve.
Skandali i fundit me filmimet e numrit dy të qeverisë është produkt i këtij realiteti zhgënjyes. Nuk ka rëndësi nëse kasetat janë të sakta, leximi i buzëvë është bërë 100% në rregull, nëse ka shkelur ligjin ai që regjistron fshehtas zyrtarin e lartë të shtetit apo ai që bie pre e kurthit; ai që bën ofertën korruptive apo ai që e pranon atë. Këto janë çështje të drejtësisë dhe në një shtet serioz e para duhet të flasë drejtësia. Gjithësesi ne nuk mund të heshtim duke pritur që prokuroria e kopertinave të modes apo gjyqtarët që korruptohen duke dërguar një fëmijë në ambasadat e shtetit të jenë ndryshe nga 20 vitet e mëparshme, të jenë të pavarur, profesionalë, të aftë dhe dinjitozë. Ata që nxorrën të pafajshëm dhe e graduan drejtor të madh të shtetit njeriun që shantazhoi kryetarin e shtetit; apo ata që me arsyetime teknike ende nuk u kanë thënë shqiptarëve pse dhe kush mban përgjegjësi për vrasjen e 26 qytetarëve në biznesin politik të Gërdec, nuk e kanë për gjë të gjejnë një kleckë teknike edhe në rastin në fjalë.
***
Prodecura mund të jetë në rregull, por Regan shkruante se demokracia funksionale nuk është thjesht procedurë. Ajo bazohet mbi moral, mbi interesin publik, mbi vlera dhe ndërgjegje, mbi përgjegjësinë qytetare dhe dinjitetin njerëzor. Sot në Tiranë dhe në Shqipëri gjithkush e beson se nëse ky filmim do ti ishte bërë një qytetari të thjeshtë, nëpunësi komune apo mësuesi në shkollë, polici të qarkullimit rrugor apo roje të pyellit, të nesërmen me siguri ai do të ishte pushuar nga puna, do të ishte thirrur nga policia dhe vetëm nëse do të kishte fat, nuk do të kalonte një kalvar gjykimesh në nivelet e gjykatave. Me siguri shtetarët do ta kishin përdorur si referencë në luftën e suksesshme kundër korrupsionit. Lajmi i keq është se sot në Tiranë e në Shqipëri gjithashtu ka një shumicë që beson se kur filmime të tilla i bëhen një zyrtari të lartë, minister apo deputet, drejtues enti publik apo kushtetues, lajmi rrezikon të zgjasë vetëm tre ditë, asgjë më shumë. A nuk ndodhi kështu me vjedhjet e vrasjet e 1991-it, me abuzimet e 1993-it, me dhunën e krimet e 1997-ës, me dhunën dhe atentatet politike të 1998-1999-ës, me akuzat mafioze të 2001-it, me tragjedinë e 9 janarit, me Gërdecin, me vjedhjen e arit apo të piramidave, me kazinotë dhe fshatrat abuzivë turistikë, etj, etj?
***
Ka ndodhur e vijojnë të ndodhin para syve tanë, dhe me të njëjtët politikanë, të cilët vetëm sa merren vesh për rotacion pushteti e tenderash duke na përdorur ne dhe votat tona si alibi. Kjo ndodh e mund të ndodhë sepse shoqëria ka humbur memorien. Sepse një vend që ka harruar se vetëm 20 vjet më parë ka qënë shteti më komunist, më diktatorial, më i varfër dhe i izoluar, e ka të lehtë të harrojë cili është milionieri i ri nga radhët e atyre që me votat tona marrin postet zyrtare duke veshur costume borxh dhe dalin prej tyre vetëm kur kanë blerë shtëpi e toka, banesa turistike e hotele, makina lukzose e jahte pushimi.
***
Sot shteti i së drejtës dhe demokracia funksionale në Shqipëri është në provë. Prova nuk kalohet duke dënuar njërin apo burgosur tjetrin, duke shkarkuar dikë që nesër na kthehet përsëri, duke u fshehur pas procedurave apo detajeve teknike, dukë bërë avokatin e djallit në emër të pavarësisë së ligjit apo fanatikun në emër të fushatave heretike. Kjo bëhet vetëm me një rrugë, - duke u ndeshur me të vertetën, me moralin që duhet të ketë ai ose ata individë që duan të vijojnë të marrin vendime mbi jetët tona, mbi shoqërinë dhe shtetin tonë. Është koha për të dëshmuar se ky vend ka institucione, ka drejtësi, ka standarde të njëjta për cdo qytetar. Është koha që shtetarët të na dëshmojnë se nuk janë aty në qeveri të bashkuar si një aleancë të njerëzve që u lejohet të bëjnë cfarë të duan me ligjin e pronën publike, por se u ka mbetur qoftë edhe një fije morali për tu distancuar nga e keqja. Është koha që ata politikanë të cilët na zënë frymën 24 orë të ditës e natës me fjalime propaganda kundër korrupsionit dhe arrijet historike të vihen në provë nëse kanë aftësi ta përballojnë situatën kur ata vetë janë përpara gjyqit që deri tani kanë dashur e kërcënuar tua bëjnë të tjerëve.
***
BE e ritheksoi dje, Shqipëria politike është në provë dhe kjo provë do të vendosë nëse kemi vendosur të ecim nën shembullin kroat e malazez apo nën shembullin e oligarkisë së pakontrolluar. Dhe kur në Bruksel e në Tiranë flitet për provë, fjala nga është për qytetarët, por për ata që i votuam për të na shërbyër, dhe na sundojnë si mesi, herë nga kazinotë e Vjenës, herë nga Mali i Robit, herë nga Kodrat e Liqenit dhe herë nga Mali i Dajtit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›