Drafti për SHISH-in, të hënën priten ndryshimet në Komisionin e Sigurisë
Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare do të marrë në shqyrtim në mbledhjen e ditës së hënë projektligjin e shumëkundërshtuar si nga opozita shqiptare, ashtu dhe nga faktori ndërkombëtar. Pritet që gjatë mbledhjes së këtij komisioni deputetët e maxhorancës të bëjnë ndryshimet në bazë të kritikave të bëra nga ndërkombëtarët. Vetëm një ditë më parë kundër këtij drafti reagoi ashpër kryediplomati amerikan në Tiranë, John Withers. Ai e cilësoi të papranueshëm projektligjin që u miratua vetëm pak ditë më parë nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe i sugjeroi maxhorancës që të shtyjë miratimin në seancë të këtij drafti. Withers propozoi që Shqipëria të pranojë asistencën ndërkombëtare në hartimin e këtij projektligji në mënyrë që të mos cenohet pavarësia e Shërbimit Informativ Shtetëror. Pritet që maxhoranca të reflektojë duke pranuar sugjerimet e ambasadorit amerikan.
Sugjerimi
Ambasadori Withers tha se ligji i ri cenon pavarësinë e SHISH-it, e fut atë në kontroll politik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë. Ai kërkoi shtyrjen e votimit të këtij ligji dhe pranimin e ekspertizës së huaj. “Është jetike për SHISH-in të jetë profesional, i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky projektligj i minon këto parime. Për më tepër, ky draft i jep SHISH-it përgjegjësi të tjera brenda vendit, që janë shqetësuese”, - u shpreh Withers. Ambasadori theksoi se Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj, por SHBA-të druajnë se projekti në formën aktuale po e dëmton këtë imazh. “Ne kërkojmë që ekspertë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë rishikimin e gjithanshëm të plotë të draftit përpara se Parlamenti të ndërmarrë veprime të tjera. Kjo nuk është një çështje vetëm e brendshme e Shqipërisë, por si anëtare e NATO-s, kjo është një çështje me interes ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se tani, stabiliteti në Shërbimin Informativ është shumë i rëndësishëm”, - theksoi Withers.
Kritikat
Pas miratimit nga qeveria të draftit për Shërbimin Informativ Shtetëror, diplomatë dhe drejtues të organizatave të huaja u vunë menjëherë në lëvizje për ndryshimin e disa prej pikave të këtij projektligji. Ndryshimet që u kërkuan të bëhen në projektin e miratuar nga qeveria prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me; detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere. Kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji. Ekspertët e huaj që monitorojnë reformën ligjore ngrenë shqetësimin se ky institucion i sigurisë kombëtare rrezik të bjerë në varësi politike. Në projektligjin e ri thuhet se “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e shërbimit, si dhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij”. Në ligjin ekzistues kjo pikë ka qenë e përcaktuar ndryshe. “Drejtori i SHISH-it informon dhe raporton te presidenti i Republikës dhe te kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar”. Nisur nga ndryshimi i nenit 5, vihet re qartë se shërbimi sekret krijon një varësi direkte nga kryeministri, ku kryetari i Shërbimit Informativ përgjigjet në çdo kohë dhe mënyrë vetëm përpara kryeministrit, duke e sanksionuar kreun e qeverisë, ligjërisht, si eprorin e tij direkt. Por jo vetëm kaq. Në ndryshim nga ligji ekzistues, Shërbimi Informativ Shtetëror ndryshon në mënyrë thelbësore edhe objektin e punës së tij. Në objektin e ri të punës së shërbimit, krahas sigurisë kombëtare, shtohet një nen ku thuhet se: “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike”. Kjo është një pikë, e cila, nëse interpretohet, në çdo rast mund të sjellë në mendje praktikat e dikurshme të funksionit të këtij institucioni. E që për ekspertët e huaj, juridikisht dhe politikisht, cilësohet si e dyshimtë; sidomos në kontekstin e vënies në varësi politike të shërbimit sekret shqiptar.
Në Nenin 5 të ligjit ekzistues thuhet: “Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike, si dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara”. Ne draftin e ri nënvizohet se: “Shërbimi Informativ Shtetëror, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja”. Pikërisht edhe në këtë pikë, ekspertët konstatojnë ndërhyrjen e kreut të qeverisë në misionin kushtetues dhe ligjor të Shërbimit Informativ. Ndërkombëtarët, pasi kanë studiuar draftin e propozuar nga qeveria, kanë nisur bisedimet me propozuesit e këtij projekti për të marrë në konsideratë ndryshimet. Sipas tyre, “amendamentet e propozuara rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta vënë atë nën në një ndikim të pastër politik.
Një tjetër argument që theksohet në konstatimet e para që kanë bërë ekspertët e huaj është edhe fakti se praktikat më të mira në Perëndim kanë bërë të mundur që shërbimet e inteligjencës të jenë sa më të pavarura dhe të ruhen raportet mes tyre, institucioneve të tjera kushtetuese dhe politikës. Reformat që janë bërë në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë një kosto të madhe financiare, pjesën më të madhe të së cilës e kanë përballuar donatorët. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe vendet anëtare, të përfaqësuara me misione diplomatike në Shqipëri, i kërkojnë Tiranës zyrtare të respektohen standardet edhe në ndryshimet që do të bëhen në funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Madje ambasadorët e vendeve perëndimore kanë biseduar me edhe me kryeministrin Berisha për draftin më të fundit për ndryshimin e kuadrit ligjor të SHISH-it, por duket se kreu i Ekzekutivit shqiptar nuk i ka marrë në konsideratë kritikat e ndërkombëtarëve.
15 Mars 2010