Demokratët e Matit, fushatë në burgun e sigurisë së lartë
BURREL – PD-ja e Matit fushatë në burgun e sigurisë së lartë. Burime nga ky burg bëjnë të ditur se ditët e fundit punonjës të brendshëm, të cilët njihen si anëtarë ose mbështetës të të djathtës në qytet po zhvillojnë takime me të dënuarit, duke u kërkuar atyre me mënyra të ndryshme të votojnë Partinë Demokratike. Mësohet se i vetmi ndër të dënuarit që nuk është kontaktuar është Zani Çaushi, për shkak se në deklarimet e tij të mëparshme nuk e ka mbështetur të djathtën. Gardianë që kanë frikë t’u përmendet emri për shkak të detyrës që kanë tregojnë se çdo ditë, persona të njohur në degën lokale të PD-së Mat, marrin kontakt me të dënuarit dhe nuk hezitojnë t’u thonë “votoni PD-në”. “Do të shkoni më shpesh me leje në qoftë se fiton Partia Demokratike”, janë shprehur zyrtarë të burgut të Burrelit për të dënuarit, të cilët nuk kanë nguruar të informojnë Komitetin Shqiptar të Helsinkit për atë që u ka ndodhur. h.p