Kartat, PS: Kontroll me pajisje në KQV
BLEDAR HOTI
Qeveria dhe Partia Socialiste vazhdojnë përplasjet për kartat e identitetit. Dyshimi i ri i socialistëve për dokumentin e ri të identifikimit ka bërë që PS-ja t’i kërkojë KQZ-së që të vendosin për krijimin e mundësive teknike për komisionet e Qendrave të Votimit për verifikimin e vlefshmërisë së kartave. Në letrën e tij, sekretari për çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, thekson se “zgjidhja për këtë shqetësim të posaçëm realizohet nëpërmjet pajisjes së KQV me nga një pajisje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike, pasi kjo shërben si një garanci e domosdoshme për t’i prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme”. “PS çmon se kjo është një kërkesë plotësisht e realizueshme dhe tërësisht e legjitimuar, e cila do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit në procesin e votimit më 28 qershor 2009. Theksojmë, se në funksion të detyrës kushtetuese e ligjore që ka KQZ për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, besimi i palëve në këtë proces është thelbësor dhe garanci paraprake për vetë suksesin e procesit”, thekson Xhafaj në letrën e tij.
Reagimi i Nishanit
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se kartat e identitetit janë të falsifikueshme. Ai theksoi se kjo është një tentativë e PS-së për të dekurajuar këtë proces. “Letërnjoftimi elektronik është i pafalsifikueshëm. Çdo individ i cili mund të tentojë të aplikojë dy herë, nuk ka shanse të marrë dy herë dokumentin sepse vetë sistemi, që në momentin që individi aplikon për herë të dytë e identifikon si një person që ka aplikuar për shkak të shenjës së gishtave dhe për shkak të parametrave biometrikë të fotografisë që është depozituar në sistem, përveç asaj që përmban karta. Askush nuk mundet dot të marrë dy herë një letërnjoftim”, reagoi Nishani. Sipas ministrit, elementët e sigurisë janë të verifikueshme me sy pa qenë e nevojshme instalimi i aparaturës së posaçme në qendrat e votimit. Në tentativë për falsifikime, Ministria e Brendshme ka ndaluar 10 persona të cilët kanë aplikuar disa herë. Ministri Nishani përgënjeshtron gjithashtu akuzat për manipulim të të dhënave drejtuar Partisë Socialiste. “Në lidhje me database-n e plotë të të dhënave për qytetarët të cilët kanë pasaportë, ne i jemi drejtuar komisionierit të mbrojtjes së të dhënave, i cili është një institucion i pavarur, i cili në mënyrë kategorike na ka ndaluar të nxjerrim një bazë të tillë të dhënash dhe të përdoren jashtë institucioneve të cilat kanë përgjegjësi ligjore për ruajtjen e tyre”, theksoi Nishani.