Udhëzimi për numërimin e votave, KQZ bllokohet sërish në vendimmarrje
Mbetet pezull udhëzimi i KQZ-së për rolin e anëtarëve të grupeve të numërimit të votave. KQZ-ja dështoi në arritjen e konsensusit për këtë udhëzim, ku shkak është kërkesa e vazhdueshme e PS-së për të përcaktuar qartë rolin që do të kenë anëtarët e GNV-ve në këtë proces të numërimit të votave. Nëse një ditë më parë ishte parashikuar që numërimi të vazhdonte me dy anëtarë, që u bë shkak dhe i bllokimit të udhëzimit, në ditën e djeshme KQZ-ja kishte hequr dispozitën kontestuese, me synimin e arritjes së konsensusit. Kjo u bë e qartë nga ana e kryekomisionerit Arben Ristani, i cili theksoi se “është hequr një gjë e tillë, për shkak se udhëzimi nuk përcaktonte rolin e anëtarëve të grupit të numërimit të votave, por të raportit të GNV-së me teknologjinë”. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të një vendimi të tillë, për shkak se ende nuk është arritur një konsensus mes palëve për një çështje të tillë. “Na jepni më shumë kohë që të gjejmë një formulë, e cila të bëjë të mundur kalimin e këtij udhëzimi, jo duke përjashtuar një nen kaq shumë të rëndësishëm nga udhëzimi, nga vendimmarrja juaj, por duke e bërë të mundur kalimin në një formulë, e cila besoj se duhet të jetë konsensuale. Në këtë kuadër po ju paraqes kërkesën për një kohë më të madhe në dispozicion”, deklaroi Gjonçaj. Ndërsa nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi theksoi se “udhëzimi nuk ka vlerë, përderisa nuk i është dhënë një zgjidhje çështjes së mbetur pezull”. “Edhe pse dispozita është apo nuk është në akt, në thelbin e aktit kur votova kundër në tërësi, unë gjykoj se procesi nuk ka vlerë edhe për transmetimin e numërimit, sepse i gjithë procesi lidhet me mënyrën e funksionimin e grupit të numërimit. Ky nuk është bllokimi i procesit. Bllokim i procesit është ai që do të ndodhë nesër në KZAZ, në GNV, nëse do të na paraqitet rasti për të qenë GNV me dy anëtarë. Për këtë material që ne kemi përpara jemi në qëndrimin e ditë së parë të votimit, në thelb akti nuk ka ndryshuar nuk e ka zgjidhur problemin”, theksoi Subashi. Ndërsa Ristani, duke bërë të ditur shtyrjen për ditën e sotme të udhëzimit, theksoi se “Për sa kohë doni të krijoni situata të tilla, unë besoj se doni të bllokoni procesin e numërimit të votave dhe do të vazhdoj në këtë formë derisa të zgjidhet problemi. Do t’ia propozoj KQZ-së çdo ditë deri sa të zgjidhet problemi”.