Demokratët mblidhen për Floridën dhe Miçiganin
Partia Demokrate amerikane do të organizojë takimin e shumëpritur, në të cilin do të vendosë për fatin e dy shteteve të mbajtura ende në garën dramatike mes Hilari Klintonit dhe Barak Obamës, për të fituar mbështetjen e partisë për kandidimin e madh presidencial të muajit nëntor. Shtetet në fjalë janë Florida dhe Miçigani të "zhveshura" nga përfaqësuesit e tyre, për shkak të votës që organizuan në janar, e që bie në kundërshtim me rregullat e partisë. Hilari Klinton shpreson se partia do ta rishikojë vendimin saj në lidhje me të dyja shtetet, në të cilat ajo ka një mbështetje më të madhe se Obama. Aktualisht, ajo është shumë pas kandidatit me ngjyrë, tani që gara zgjedhore është në hapat e saj të fundit. Pikërisht për të vendosur për gjithçka që ka të bëjë me këto momente të fundit, 30 anëtarët e Partisë Demokratike janë mbledhur në një hotel të Uashingtonit. Sipas kryetarit të demokratëve, Howard Dean, kompromisi që do të arrihet në përfundim të mbledhjes nuk do t‘i kënaqë të gjithë. Por, sipas shifrave, cilido që të jetë vendimi i partisë, Barak Obama është thuajse fituesi i sigurt i emërimit të Partisë Demokrate. Megjithatë, mbledhja e komitetit shënon edhe shpresën e fundit të vakët të Hilari Klintonit. Ajo shpreson që demokratët do ta rishikojnë qëndrimin e tyre të marrë kohë më parë dhe do t‘i lejojnë delegatët nga Florida dhe Miçigani që të votojnë në takimin kombëtar të partisë në muajin gusht. Zyrtarisht ajo fitoi në të dyja shtetet në muajin janar, por votimet u zhvilluan pa fushatë elektorale dhe madje, emri i Obamës nuk ndodhej as në letrën e votimit. Klinton shpreson që ta ngushtojë distancën e votave të delegatëve me Obamën, duke shpallur fitore në votën popullore dhe pastaj mund të tentojë të bëjë për vete delegatët ende të pavendosur për t‘u marrë votën në takimin e muajit gusht. Nga të dhënat e fundit ka shumë mundësi që mbledhja e demokratëve të përfundojë me një kompromis.