E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, edhe 1 milion persona në prag të evakuimit

Vazhdon situata katastrofike në Kinë, për shkak të situatës së rënduar nga goditjet e fundit të natyrës. Autoritetet kineze kanë evakuuar deri tani 200 mijë persona, duke paralajmëruar evakuimin nga banesat të 1 milion të tjerëve, për arsye të pasojave shkatërrimtare të tërmetit, i cili ka shkaktuar deformime në relievin e tokës. E ndërsa pritet gjetja e viktimave të tjera, numri i deritanishëm i tyre ka shkuar në 68 977 me një rritje me 120 persona në krahasim me dje. Ndërkohë, rreth 15 mijë persona janë shpallur të zhdukur dhe punëtorët e skuadrave të shpëtimit po punojnë për gjetjen e tyre të mundshme nën gërmadha. Në ndihmë të popullsisë janë vënë qindra ushtarë dhe punëtorë, që pa asnjë lloj pushimi përpiqen të shpëtojnë ç‘të mundin. Shkaku i zhvendosjes aktuale është dalja jashtë kufijve e liqenit Tangjiashan në krahinën e Sichuanit. Ai ndodhet në zonën e goditur nga tërmeti, që ka destabilizuar relievin e gjithë zonës. Një nga problemet më të mëdha aktuale është edhe strehimi i një numri kaq të madh të zhvendosurish, për më tepër që ai pritet të rritet shumë edhe në vijim. Në zonat e qeta po tentohet të ngrihen kampe refugjatësh, por kushtet hidrosanitare lënë për të dëshiruar, ndaj një problem është edhe shpërthimi i ndonjë epidemie, që mund ta rriste mjaft numrin e viktimave. Pas tërmetit liqeni doli nga kufijtë e tij, duke shkaktuar përmbytje të madhe, shkatërrime dhe të vdekur. Liqeni në fjalë është më i madhi i 30 liqeneve që janë formuar nga goditja e tërmetit. Zgjerimi i kufijve të tij ka bërë që aktualisht me miliona vetë të kenë dalë në tenda e çadra. Ndihma për të shpërngulurit janë sjellë me shumicë edhe nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare, por, ndërkohë, vetë Pekini është mobilizuar për të ngritur zona të tjera të reja të banuara për strehimin e të ikurve nga përmbytja. Nuk dihet me saktësi se sa kohë ata do të qëndrojnë në kushte të tilla, por, sipas një plani afatgjatë të qeverisë, që po përpilohet me hollësi, të gjitha zonat e dëmtuara me përmirësimin e situatës do të nisin të rindërtohen dhe të rikthehen sërish në situatën e mëparshme. Vetëm shuma e fundit e parave e vënë në dispozicion të të dëmtuarve nga ana e qeverisë kineze është 30 milionë dollarë. Një pjesë e mirë e saj, përveç strehimit të popullsisë, shërben edhe për forcimin e digave dhe të gjithë rrethimit të ujit të liqeneve për të mos lejuar më në të ardhmen daljen e tij nga shtrati i përcaktuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›