E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët miratojnë dy amendamente në ligjin e dosjeve, në Komisionin e Ligjeve



Demokratët kanë miratuar të vetëm dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dy amendamente në projektligjin për hapjen e dosjeve. Deputetët e PD-së kanë miratuar pro propozimit të deputetit Nikoll Lesi për të përfshirë në procesin e verifikimit dhe drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar, Këshillit Drejtues, nëndrejtorët dhe funksionarët e lartë të këtij institucioni. Po kështu ky komision miratoi dhe propozimin tjetër që në nenin tre të projektligjit, i cili parashikon subjektet që përfshihen në procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës, edhe kryetarët e degëve të Sigurimit në rrethe si dhe ish-anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nga ana tjetër, gjatë mbledhjes së djeshme janë rrëzuar dy amendamente të tjera, siç ishte ai i Nikoll Lesit për përfshirjen në procesin e verifikimit dhe të drejtuesve të mediave private. Komisioni i Ligjeve votoi kundër propozimit të deputetes Arenca Trashani për fillimin e procedimit penal ndaj personave që verifikohen si persekutorë gjatë regjimit komunist. Mbledhje e Komisionit të Ligjeve u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Socialiste. Megjithëse bënë thirrje për shtyrjen e projektligjit një natë më parë në Kuvend në mënyrë që të paraqisnin amendamentet e tyre, socialistët bojkotuan dhe mbledhjen e djeshme në Komisionit të Ligjeve, duke mos paraqitur asnjë amendament.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›