Berisha “takon” Ina Ramën për luftën kundër pastrimit të parave
Kryeministri Berisha mblodhi dje Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave. Të pranishëm në këtë takim ishin ministra të qeverisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kryeprokurorja Ina Rama, drejtues të institucioneve anëtare në Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave etj. Gjatë kësaj mbledhjeje, çdo institucion raportoi mbi masat e marra në zbatim të Programit Kombëtar “Për kontrollin e lëvizjes së monedhës ‘kesh’ në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu u diskutua mbi bashkërendimin ndërinstitucional në luftën kundër pastrimit të parave si dhe në mundësinë e ndërhyrjes në bazat e të dhënave të organeve shtetërore dhe regjistrat publikë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, bashkëpunimi ndërkombëtar në kudër të programeve të binjakëzimit. Në mënyrë më specifike pjesëmarrësit diskutuan mbi fuqizimin e strukturave që luftojnë pastrimin e parave, trajnimin e stafit bazuar mbi ekspertët dhe eksperiencën më të mirë ndërkombëtare, si dhe fuqizimin e rrjetit të IT-së dhe përdorimin e tij sa më gjerësisht në luftën kundër pastrimit të parave. Kryeministri u kërkoi pjesëmarrësve angazhim të madh në këtë luftë të vështirë, duke e cilësuar pastrimin e parave një fenomen tejet të rrezikshëm, një autostradë të krimit. Kryeministri theksoi se krimi nuk luftohet me sukses pa një luftë të vendosur ndaj pastrimit të parave. Kryeministri shtoi se ashtu si për luftën kundër krimit të organizuar, edhe ndaj fenomenit të pastrimit të parave duhet adoptuar toleranca zero. Të pranishmit u ndalën edhe në nevojën e ushtrimit të veprimeve në këtë luftë me transparencë të plotë dhe bazuar mbi kritere të qarta vlerësimi.
Hapet Ambasada e Shqipërisë në Indi
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, u nis dje për një vizitë 3-ditore në Republikën e Indisë. Kjo është vizita e parë e këtij niveli që zhvillohet në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Gjatë kësaj vizite ministri Basha do të zhvillojë takime me homologun e tij indian, Pranab Muhjerje, zyrtarët më të lartë të vendit, si dhe me përfaqësues të biznesit indian. Temat kryesore të bisedimeve që do të zhvillojë ministri Basha do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet të dy vendeve si dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare rajonale dhe globale. Ministri Basha do të zhvillojë gjithashtu një vizitë në Selinë e Urdhrit të Nënë Terezës në Kalkuta dhe do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Nju Delhi. Në këtë vizitë, ministri Basha shoqërohet nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Eno Bozdo dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe Konfindustrisë.
17 Dhjetor 2008