Qeveria amerikane mbështet kërkesat e opozitës për hapjen e dosjeve
Eljona Ballhysa
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dalë dje në mbështetje të propozimeve të Partisë Socialiste për ligjin e dosjeve. Në një deklaratë për mediat, nisur nëpërmjet postës elektronike, Ambasada e SHBA-ve ka vënë në dukje se projektligji i paraqitur në Kuvend nga Partia Demokratike ka probleme serioze me Kushtetutën. Më tej, amerikanët, ndërsa kanë përshëndetur shtyrjen e miratimit të projektligjit, kanë kërkuar që ai të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë dhe të debatohet gjerësisht nga grupet e interesit në Shqipëri. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në Parlament për të shtyrë votimin mbi projektligjin për pastërtinë e figurave. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - shkruhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Kontestimet
Një natë më parë, në Kuvend, deputetët e Partisë Socialiste e kanë kundërshtuar projektligjin për hapjen e dosjeve, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe që shkel të drejtat e njeriut. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan shtyrjen e projektligjit dhe shqyrtimin e tij me ekspertë të Këshillit të Europës dhe ODHIR-it. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së saj theksoi se drafti i PD-së shkel të paktën 20 nene të Kushtetutës, pasi nuk garanton të drejtën e një procesi gjyqësor për personat në verifikim. Po kështu ajo tha se shkelen ligjet organike që rregullojnë organizimin e institucioneve të Drejtësisë. Leskaj vuri në dukje se në bazë të Kushtetutës nuk mund të ndërpritet mandati i një personi të zgjedhur nëpërmjet një ligji që miratohet me shumicë të thjeshtë votash. Socialistët akuzuan maxhorancën se qëllimi kryesor për miratimin e këtij ligji është goditja e prokurorëve që po merren me hetimin e çështjeve të rëndësishme të korrupsionit, që implikojnë ministra të kabinetit qeveritar. Duket se kërkesat e opozitës janë mbështetur gjatë ditës së djeshme dhe nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Kjo është e disata herë që diplomatët amerikanë u dalin në krah kërkesave të Partisë Socialiste.
Maxhoranca
Megjithatë, gjatë ditës së djeshme Partia Demokratike ka treguar se nuk do të tërhiqet nga projekti i saj për verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë të shtetit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, bëri të ditur gjatë një deklarate për mediat se Kuvendi mbylli me sukses ligjin e dosjeve. Sipas Patozit, ligji nuk kaloi për miratim një natë më parë në Kuvend vetëm për arsye teknike dhe se kishte fluks amendamentesh që duheshin diskutuar më parë në Komisionin e Ligjeve. Patozi i bëri thirrje edhe një herë opozitës të votojë ligjin dhe të distancohet nga e kaluara. Sipas tij, opozita humbi shanse për të ndikuar në draftin përfundimtar. Sipas demokratëve, ligji i dosjeve me amendamentet e reja do të votohet në Kuvend në seancën e së hënës. “Grupi i PS-së dje bëri një figurë shumë të shëmtuar dhe ky është një lajm shumë i keq. Forca kryesore e opozitës, edhe pas 18 vitesh, gjendet ende e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës komuniste. Ne i kemi ezauruar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim. Ne kemi bërë që në thelbin e tij të prevalonte varianti çek, ndërkohë që ka pasur shumë zëra brenda PD-së që kanë çuar në një variant më radikal, të ngjashëm me atë polak”, - është shprehur Patozi.
17 Dhjetor 2008