E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e Gërdecit, ish-gjeneralët rrezikojnë të ndiqen penalisht

Në fillim të 2009-s, akuza do të përfundojë procesin e analizës së fakteve dhe dëshmive. Burime nga prokuroria shprehen se pritet komunikim akuze për disa ish-ushtarakë

Habjon Hasani
Një pjesë e krerëve dhe drejtuesve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, që janë nën hetim nga prokuroria (për dosjen “Gërdeci”), në javët e para të vitit 2009 do ta gjejnë veten nën akuzë për përgjegjësinë e tyre ndaj skandalit që tronditi Shqipërinë më 15 mars. “Në hetim janë një pjesë e mirë e ish-drejtuesve të Shtabit dhe jo vetëm. Shkalla e implikimit të tyre ndryshon. Nga konkluzionet e deritanishme janë vërejtur elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës për disa drejtues të Shtabit. Për këto vepra do të ketë komunikim akuze porsa të ezaurohen të gjitha procedurat që lypen për të kaluar në komunikimin e akuzës”, - i tha dje “Albania”-s një burim nga prokuroria. Por i njëjti burim ka saktësuar se konkluzionet e deritanishme janë bazuar në të dhëna dhe dokumente procedurale të rëndësishme që vërtetojnë veprimin dhe mosveprimin e tyre në kundërshtim me ligjet e vendit lidhur me dosjen ‘Gërdeci’ ”. Burimet nga organi i akuzës nuk pranuan të saktësojnë emra konkretë që rrezikojnë komunikimin e akuzave në javët e para të vitit 2009.
Civilët
Por përveç ushtarakëve, që janë aktualisht nën hetim dhe që rrezikojnë komunikimin e akuzave, ka edhe civilë që janë po ashtu nën hetim dhe që deri tani janë gjetur fajtorë për veprimet ose mosveprimet e ndërmarra prej tyre. Të tillë janë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe disa personazhe që kanë patur lidhje me firmën kontraktore “Albademil” apo persona që kanë qenë protagonistë në aktivitetin që është ushtruar në Gërdec. Aktualisht, prokuroria është fokusuar në hetimin intensiv të linjës së trafikimit të armëve. Gazeta “Albania” ka publikuar dhe më parë ekskluzivisht informacion lidhur me aktivitetin tregtar të biznesmenit të dyshuar për trafikun e municioneve në Gërdec dhe Rinas. Por të dhënat flasin për një labirint të vërtetë firmash me bazë në Qipro dhe Afrikë, ndërsa zoti Delijorgji rezulton thjesht një administrator i këtyre firmave.
Hetimet
Prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin e tri firmave në pronësi të Delijorgjit (“Albademil”, “Park Construcsion”, “Përparimi sh.a”). Këto firma lidhen në një nyje domethënëse me Gërdecin. Lidhësja është ekonomistja e firmës “Park Construcsion”, e cila ka punuar si ekonomiste me kohë të pjesshme në Rinas dhe në Gërdec. Ndërsa firma “Përparimi sh.a” ka pasur aktivitet mbledhjen dhe tregtimin e skrapit, kështu që automatikisht lidhet me firmën “Albademil”, që demontonte armë në “Gërdec”.
Përfshirja e ekonomistes në këtë trekëndësh ka futur në proces hetimi të gjitha firmat e Delijorgjit (pasi paratë e “Albademil”-it mund të jenë pastruar nëpërmjet dy firmave të tjera), por sikurse askush nuk e priste dy firmat e tjera (“Park Construcsion” dhe “Përparimi sh.a”) kanë pronarë grekë dhe anglezë, ndërsa zoti Delijorgji vetëm sa i administronte ato. Dokumenti që boton sot ekskluzivisht “Albania” vërteton se firma “Park Construction”, e krijuar në vitin 2005, është e përbërë nga bashkimi i dy bizneseve, njëri me qendër në Qipro dhe tjetri me qendër në Liberi, në Afrikë. Por përveç këtij fakti, edhe firma tjetër, “Përparimi sh.a”, është tërësisht në pronësi të një firme qipriote dhe sërish aty Delijorgji rezulton vetëm një administrator.

Hetimet, prokuroria pyeti për së dyti disa dëshmitarë

Pas publikimit të disa dëshmive dhe fakteve në media, prokuroria u vu në lëvizje duke marrë sërish në pyetje ose duke thirrur të dëshmojnë disa ish-punonjës të fabrikës që nuk ishin pyetur më parë. Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë pohuar se kanë marrë në pyetje ish-përgjegjësin e punonjësve të fabrikës së Gërdecit, Veiz Muça. “Albania” u informua se grupi i prokurorëve e ka cilësuar si “shumë të rëndësishme” dëshminë e Muçës, ndërsa ky i fundit duket se ka folur pa komplekse për aktivitete dhe ngjarje shumë të rëndësishme që lidhen me aktorët dhe kapot kryesorë që bënin menaxhimin e municionit, por edhe për lidhjet mes Gërdecit dhe Rinasit. Emri i Veiz Muçës u bë publik fare pak kohë më parë, gjatë dëshmisë publike të Andi Belliut në Vizion Plus. Belliu, një ish-punonjës i Gërdecit, u pyet tri ditë më vonë zyrtarisht në prokurori. Prokuroria ka pyetur gjithashtu dhe personazhin e shumëpërfolur në media Rrahman Selmanllarin, i cili ka mohuar kategorikisht se kishte të bënte me këtë fabrikë, ndonëse prokurorët janë shprehur se kanë gjetur fakte se Selmanllari ka qenë përfaqësuesi shqiptar i kompanisë amerikane “Southern Ammunittion”, e cila ndante ortakërinë me Delijorgjin në Gërdec.
Një tjetër fakt interesant lidhet dhe me ekonomisten e firmës së ndërtimit “Park Construction”, në pronësi të Mihal Delijorgjit. E njëjta ekonomiste rezultonte e punësuar part-time edhe në bazën e Rinasit, ku ripaketoheshin fishekët, por edhe në Gërdec. Ky fakt është trajtuar me kujdes nga prokurorët dhe ekonomistja në fjalë është marrë në pyetje. Mësohet se gjatë shpjegimeve të saj ka dhënë detaje me rëndësi. Të paktën ka qenë pikërisht kjo ekonomiste që ka detajuar dërgesat e parave nga Qiproja për në “MEICO” nga firma “Evdin lid”, por edhe disa detaje të tjera lidhur me borderotë e bazës së Rinasit dhe fabrikës së Gërdecit.

Pista e trafikut, indiciet erdhën nga “laptopi” i Pinarit

Fill pas arrestimit, prokuroria ka mundur të sigurojë një volum të konsiderueshëm dokumentesh, ndër të cilat disa kontrata, disa komunikime me anë të FAX-it, por edhe disa preventivë, të cilët kanë formuar të dhënat e nevojshme për të diktuar një rrjet të mirorganizuar të trafikimit dhe shitjes në të zezë të armëve shqiptare. Nëpërmjet këtyre dokumenteve u siguruan disa prova që flisnin për trafikimin e municioneve Në sajë të informacionit të sekuestruar është vërtetuar se nga firma “MEICO” ka pasur tratativa dhe kontrata të konkluduara me disa “pika kontakti” ndërkombëtare, që nuk kanë operuar në rrugë zyrtare dhe që rezultojnë si subjekte private anonime. Por përveç këtij fakti, në dokumente vërtetohet se ka pasur dhe disa dërgesa të mëdha me kontenierë të mbushur me municione, të cilat nuk figurojnë në regjistrat zyrtarë të kompanisë. Deri tani janë evidentuar edhe disa pika kontakti me të cilat ka pasur marrëdhënie intensive të kontrabandimit të armëve në tre vitet e fundit. Greqia, Bosnja, Austria dhe Zvicra janë evidentuar deri tani si pika kontakti për porositjen e ngarkesave, ndërsa disa dokumente kanë dhënë informacion edhe në lidhje me destinacionin e këtyre ngarkesave. Zbardhja e këtij informacioni që lidhet me kontrabandimin e armatimit të vendit tonë ka hedhur dritë edhe në lidhje me funksionet e vërteta të së ashtuquajturës “bazë të demontimit në Gërdec”. Kjo ndodh pasi nga krahasimi i të dhënave prokurorët kanë bindjen se në të vërtetë Gërdeci ka qenë më së shumti një pikë tranziti dhe parapërgatitjeje për municionet që “i hipnin” avionëve në Rinas.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›