Pol Mekartni: “Isha unë ideologu i Beatles, jo Lenon!”
Pas shumë vitesh Pol Mekartni rimerr rolin si ideolog në një intervistë për revistën “Prospect”. Artisti ka pranuar se ishte ai i pari dhe jo Lenon ai që politizoi grupin dhe i bëri kolegët të kuptonin “të këqijat” që vinin nga lufta në Vietnam. Nëse ka qenë apo jo Mekartni ai që zgjoi nga gjumi Beatles, pohon e përditshmja britanike “The Sunday Times”, ai që manifestoi qartë opinionin e tij përmes këngëve ishte pikërisht Xhon Lenon. Ndër këto këngë përmenden “Revolution” dhe ”Give Peace A Chance”. Me siguri, vazhdon gazeta, mendimi i Mekartnit kontraston me mendimin e studiuesve të asaj periudhe. Alan Clajson, i cili ka shkruar disa biografi për këngëtarin, është shprehur se Mekartni dëshiron të shkruajë historinë “tani që Lenon nuk jeton më”. Ndërkohë, Spenser Leit, i cili rrëfen historinë e klubit “Cavern” ku “Beatles” hodhën hapat e parë, shprehet se si Mekartni, ashtu edhe Lenoni, ishin të interesuar për gjithçka që ndodhte përreth, por shton se nuk është i sigurt se ishte Pol ai që politizoi Xhonin.
Megjithatë, ish-anëtari i grupit legjendar është i sigurt se ishte ai që e bindi Lenonin për të kundërshtuar luftën e Vietnamit (1958-75) në vitin 1968, kohë kjo kur katërshja regjistroi këngën “Revolution”. Mekartni rrëfen se ai që i zgjoi dëshirën për t’u marrë me politikë ishte Bertrand Russell, shkrimtari, filozofi, matematicieni dhe pacifisti britanik që në vitin 1950 fitoi çmimin “Nobel” për Letërsi.
Mendes: “Nudo, por vetëm me Morisein”
Eva Mendes ka pranuar të zhvishet serish për fushatën e shoqatës në mbrojtje të kafshëve “Peta”, por vetëm me një kusht: nëse bashkë me të do të jetë edhe ish-lideri i “Smith”, Morisei.
“Jam e lumtur ta mbështes serish Peta-n dhe do të zhvishesha me kënaqësi me të. Kam punuar me shoqatën dhe e di që Morisei është mbështetës i saj”, - tha Mendes për gazetën “The Sun”. Aktorja duket se është adhuruese e Smith dhe shpreson që këngëtari të vlerësojë komentet e saj dhe të pranojë ftesën për t’u zhveshur me të. “Të shohim si do të reagojë. Ndoshta del ndonjë propozim më kreativ se zhveshja”, - tha Eva.
Britni, ftesë Madonës të këndojë në turneun e saj
Këngëtarja Britni Spirs dëshiron që shoqja e saj, syperylli i muzikës pop, Madona, të jetë mysafire speciale në turneun e saj, i cili planifikohet të fillojë vitin e ardhshëm. Britni ka qenë mysafire e Madonës në koncertin e Los Anxhelosit në muajin nëntor, si pjesë e turneut të mbretëreshës së muzikës pop, “Sticky & Sweet”, ndërsa tani ajo dëshiron që Madona t’ia kthejë borxhin dhe të shfaqet në Nju Orleans në mars të vitit 2009. “Ekzistojnë plane që Madona të paraqitet në koncert. Aktualisht jemi duke punuar për oraret dhe caktimin e datave”, - ka thënë koreografi Ueid Robson.
Kulio do të marrë pjesë në “Big Brother”
Këngëtari i muzikës rep, Kulio, ka vendosur të marrë pjesë në shoun britanik “Celebrity Big Brother”. Këngëtari i hitit “Gangsta's Paradise” do t’i bashkëngjitet një grupi konkurruesish të famshëm, të cilët do të sfidojnë njëri-tjetrin brenda shtëpisë së Big Brother, duke mos pasur kontakt me ambientin e jashtëm. Sipas AllHipHop.com, pjesëmarrës në shoun, që do të fillojë në janarin e vitit që vjen, do të jetë edhe aktori Vern Trojer.
Ne-Yo bashkëpunon me Manson
Këngëtari i rokut, Marilin Manson, do të bëjë një bashkëpunim befasues për albumin e tij të ri me yllin e muzikës R&B, Ne-Yo.
Shafer Smith, emri i vërtetë i Ne-Yo, është i njohur për bashkëpunime me këngëtaret, si Uitni Hjuston, Selin Dion dhe Britni Spirs, si edhe për këngët që ka kënduar vetë. “Do të bëj disa këngë me Marilin Manson për albumin e tij të ri. Unë nuk kam paragjykime për mënyrën se si shfaqet ai në publik ose si vishet, por unë jam i interesuar në muzikën që bën”, - ka thënë Ne-Yo.
Kajli do t’i kthehet aktrimit
Dëshiron që pas disa vitesh t’i rikthehet karrierës si aktore pasi vazhdimisht mendon si do të ishte jeta e saj nëse nuk do të ishte marrë me këngën. Këngëtarja e muzikës pop, Kajli Minog, e ka filluar karrierën si aktore në telenovelën australiane të viteve tetëdhjetë, “Neighbours”, para se të bëhej këngëtare e famshme, ndërkohë që tani dëshiron që t’i kthehet sërish aktrimit. “Jam përqendruar aq shumë te muzika saqë nganjëherë harroj se hapat e parë në karrierë i kam bërë si aktore. Shpesh pyes veten si do të ishte po të kisha vazhduar me aktrimin dhe të mos isha marrë me muzikë? Planifikoj që në të ardhmen të paraqitem në ndonjë film ose ndonjë shfaqje skenike”, - ka thënë këngëtarja australiane.
16 Dhjetor 2008