E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët në rikonstruksion, socialistët nisin aksionin

Është një nga ditët e pragfushatës. Momenti tipik kur kampet i përvishen punës, hartojnë strategjitë e grumbullojnë forcat njerëzore. Në ekranet televizive, gjithçka ka filluar të pasqyrohet me furi. Rreshtimi në debate është mjaft i ethshëm, sa duket se gjithçka ka filluar para kohe. Kësaj klime ngjan t‘i kenë shërbyer më së miri replikat publike të liderëve kryesorë.

Demokratët

Në orët e para të mëngjesit mbërrijmë në selinë qendrore të Partisë Demokratike, forca kryesore në pushtet. Rreth 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të djathtët kanë zgjedhur të bëjnë "make up". Selia qendrore shfaqet e mbuluar me një rrjetë. Pas saj sheh punëtorë që godasin pa pushim me vare muret e saj. Pamja e jashtme e selisë nuk u pëlqen sa duhet zyrtarëve të Partisë Demokratike. Ky është shkaku pse para zgjedhjeve gjithçka do të rikonstruktohet. Nëse bën të afrohesh në hyrje, nuk është çudi të goditesh nga ndonjë copë guri që rreshket mes skelave që kanë rrethuar fasadën. Në derën kryesore, vendi ku normalisht qëndron portieri, nuk ndodhet askush. Aty ka vetëm thasë me çimento, kuti kartoni dhe pllaka të thyera. Imazhi i ri ka prekur përveç fasadës edhe shkallët e një pjese të mirë të mureve të brendshme. Duket e tepërt që në një mjedis të tillë "nën konstruksion" të pyesësh nëse ka ndonjë drejtues nëpër zyra. Tentativën e parë e bën një grua rreth të pesëdhjetave e cila i drejtohet pastrueses "a mund të flas me njeri?". Përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe e menjëhershme: "aty anash ke një zyrë, pyet se duhet të jetë dikush". Nga kureshtja për të parë si punohet nën tulla e llaç, i drejtohemi zyrës ku na orientuan. Sapo hapet dera, gjëja e parë që bie në sy është një foto relativisht e madhe e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, varur në ballin kryesor. Një punonjës i aparatit qendror është i vetmi që ndodhet në zyrë. "A mund të takoj Flamurin?", pyet zonja. Punonjësi i përgjigjet: "Jo, jo nuk është këtu". "Por a vjen sot", insiston zonja. "Jo, se besoj", është përgjigjja që pason. Në fakt, jo rastësisht, personi që kërkohet më së shumti nga "vizitorët" është sekretari organizativ, Flamur Noka. Që kur Partia Demokratike erdhi në pushtet në shtatorin e vitit 2005, ai është ndër të vetmit zyrtarë që ka frekuentuar zyrën në parti. Të tjerët kanë preferuar zyrat e ministrive, të Kuvendit dhe ato të Kryeministrisë. Nuk dihet se kur ministrat dhe deputetët do t‘i rikthehen selisë qendrore, teksa jemi dy muaj nga fillimi i fushatës zgjedhore. Duke lënë pas selinë blu, shohim se njëra kafe pranë partisë është thuajse bosh. Tjetra, disa metra më tutje, figuron gjithashtu nën konstruksion. Në kohën kur selia po ndërron "faqen", mbetet për t‘u besuar se strukturat lokale nëpër kryeqytet kanë një axhendë më të ngjeshur me veprimtari organizative.

Socialistët

Jo larg në distancë ndodhet selia qendrore e Partisë Socialiste, forca kryesore në opozitë. Kafeneja brenda rrethimit të partisë ka filluar të mbushet që në orët e para të mëngjesit. Ai është mjedisi më i preferuar ku mblidhen punonjësit e aparatit dhe zyrtarët socialistë. Të qenit në opozitë duket se u ka dhënë mundësi socialistëve të lidhen më tepër me zgjedhësit dhe simpatizantët. Lokali në disa raste i nënshtrohet një vetëndarjeje në mënyrë të pavetëdijshme. Në njërën anë, frekuentohet nga punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë që ndodhet disa metra më larg, krahu tjetër tërësisht nga socialistët. Ndonjëherë ndodh që edhe dy palët të shartohen, duke shmangur ndarjet. Kreu i socialistëve, Edi Rama, pothuajse rregullisht nuk u mungon këtyre ambienteve, ku pi kafen e zakonshme me disa prej ndihmësve të tij të afërt. Një bisedë që deri dje preferohej të kryhej në zyra të mbyllura, tanimë zhvillohet krejt pa problem nën dritën e diellit. Tavolinat shpesh ngjajnë si minishtabe elektorale, diku mbizotërojnë grupet e vullnetarëve, diku tjetër pensionistët, më tutje janë aparatçinjtë. Teksa bisedat nuk kanë të sosur, ekziston bindja se fitorja është më afër se asnjëherë. Sipas tyre, nuk ka dyshime që 28 qershori do të shënojë një start të ri për partinë kryesore të opozitës. E për të arritur këtë, të gjithë janë nën ethet e fushatës. Aq më tepër kur "beteja" politike njeh si rivalë jo vetëm Kryeministrin Sali Berisha, por edhe kreun e LSI-së, Ilir Meta. Si për të vërtetuar kalimin nga LSI drejt PS-së, shumë socialistë zgjedhin të pinë kafe menjëherë në mjediset e selisë rozë. Ndër figurat "tradicionale" ndodh të shohësh në këto ambiente Gramoz Rucin apo Namik Doklen. Përveç sekretarëve, të tjerët zgjedhin të jenë në seli shumë më rrallë, kryesisht vetëm kur ka mbledhje të grupit parlamentar. Prej kohësh, emra të tillë si Ben Blushi, Pandeli Majko, Arben Malaj, Bashkim Fino etj., nuk i sheh. Çdo ditë në seli zhvillohet të paktën një konferencë shtypi dhe ata që më së tepërmi kalojnë ditën në këto ambiente janë të rinjtë e mbërritur vitet e fundit si Damian Gjiknuri, Ledi Shamku, Ilir Beqja, Ervin Bushati, Artan Lame, Sajmir Tahiri, Auron Tare, Ylli Manjani etj. Në partinë kryesore të opozitës, dilemat për emrat dhe listat e kandidatëve për deputetë intensifikohen teksa kalendari ndërron faqet drejt 28 qershorit…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›