E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë, në pritje të parave nga buxheti i shtetit

Partitë politike që kanë të drejtë të marrin fonde publike nga buxheti i shtetit janë në pritje të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrisë së Financave. Paraprakisht është ky institucion që akordon fondin dhe KQZ, në bazë të numrit të mandateve që ka secila parti në Parlament, llogarit shumën që i takon. Fondi publik që përfitojnë partitë politike është zë më vete dhe jo pjesë e buxhetit të KQZ-së. Institucioni i menaxhimit të proceseve elektorale ka parashikuar që shumën e buxhetit ta shpërndajë në elemente të tjera për të përgatitur infrastrukturën zgjedhore. Fillimisht, KQZ-së iu akordua një shumë prej 600 milionë lekësh të reja nga ana e qeverisë, por pak ditë më parë, ky institucion kërkoi edhe 114 milionë lekë të tjera. E gjithë kjo shumë pritet të shpenzohet për monitorimin e procesit të numërimit të votave përmes kamerave në secilën prej 66 Komisioneve Zonale Zgjedhore. Një pjesë e konsiderueshme e shumës së këtij buxheti është parashikuar për të paguar anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve, si dhe trajnuesve të anëtarëve të këtyre strukturave. Një tjetër zë i buxhetit janë pagesat për punonjësit e përkohshëm në këtë institucion, pagat për specialistët e përkohshëm etj. Në shpërndarjen e fondit publik për partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare, KQZ-ja i referohet nenit 87 të Kodit Zgjedhor. Bazuar në këtë nen, gjysma e shumës që u takon partive që janë në Parlament ndahet rreth pesë ditë, pasi ato janë regjistruar në KQZ, duke dorëzuar edhe listën shumemërore për çdo zonë zgjedhore. Shuma shpërndahet mbi bazën e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet për Kuvendin. Gjysma tjetër e shumës që u takon, pra 50 për qind e të përgjithshmes, ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se dy vende në Kuvend. Përveç kësaj, në Kodin Zgjedhor është parashikuar shpërndarja dhe rishpërndarja e fondeve, por këto janë etapa që ndiqen pas shpalljes së rezultatit zgjedhor. Buxheti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe fondi publik për partitë politike miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›