MB: 2 helikopterë për 10 milionë USD
Në kuadër të anëtarësimit në NATO, Ministria e Mbrojtjes ka zgjidhur thesin, duke shpenzuar rreth 11 milionë dollarë për blerjen e dy helikopterëve. Shifrat mësohen nga Ministria e Financave, e cila për vitin 2009 i ka akorduar dikasterit të Gazmend Oketës rreth 250 milionë dollarë buxhet. Pajisjet e reja të transportit do të shkojnë për forcat e luftimit, Brigada Ajrore. Po për forcat e luftimit, do të shpenzohen rreth 8 milionë dollarë për blerjen e anijeve patrulluese në pjesën jugore të vendit. Anëtarësimi në NATO detyron Ministrinë e Mbrojtjes të arrijë disa standarde, të cilat kushtojnë shumë. Kështu, për forcat e Brigadës së Reagimit të Shpejtë do të shpenzohen rreth 5 milionë dollarë, për blerjen e pajisjeve ushtarake. Për këtë qëllim, rreth 2 mijë forca ushtarake do të trajtohen me kosto rreth 10 milionë dollarë.