E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët rizgjedhin unanimisht Berishën: “Ne kemi sekretin e fitores”

Procesi i votimit përfundoi në orët e vona të mbrëmjes. 400 kandidatë në garë për Këshillin Kombëtar të PD-së

Eljona Ballhysa
Demokratët kanë votuar unanimisht pro rizgjedhjes së Berishës në krye të Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së djeshme të Kuvendit Kombëtar. 1260 delegatë kanë marrë pjesë dje në një proces maratonë votimi, që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Delegatët kanë votuar për kryetarin e partisë, Sali Berisha, si dhe për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në garë për një karrige në Këshillin Kombëtar të PD-së ishin jo pak, por 400 kandidatë, nga të cilët pritet të zgjidhen vetëm 100 të tillë. Drejtuesit e PD-së bënë të ditur se emrat e kandidatëve fitues do të dalin pas disa ditësh, pasi procesi i numërimit të votave kërkon kohë. Ndërkaq, demokratët kanë rikonfirmuar sërish Berishën në krye të PD-së, i cili ka marrë një mbështetje të madhe të delegatëve. Madje, shumë drejtues të PD-së nuk e konceptonin që Berisha të kishte rival në këtë “kuvend fitoreje”, siç e quajtën demokratët. Topalli dhe Patozi, në fjalën e tyre, ia dedikuan Berishës arritjet dhe fitoret e PD-së gjatë këtyre viteve. Ndërsa vetë kryetari Berisha, gjatë fjalës së tij, vuri theksin në respektimin e lirisë, në reformat e ndërmarra nga PD-ja dhe në luftën pa kompromis me mafien dhe vendosjen e shtetit ligjor.
Mbledhja
Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së filloi dje në orën 10:00 të mëngjesit. Kuvendi nisi me një dokumentar filmik mbi historikun e krijimit të Partisë Demokratike, ku merita u njihet studentëve të Dhjetorit të vitit ’90, të cilët, me lëvizjen e tyre për liri dhe demokraci, arritën pluralizmin politik në Shqipëri. Më pas fjalën hapëse e mbajti nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila ngriti lart rolin e Berishës në krye të PD-së. Ajo tha se edhe në zgjedhjet e vitit 2009 shqiptarët votuan për Berishën kryeministër dhe kryetar PD-je. Pas Topallit fjalën e mori nënkryetari tjetër i PD-së, Astrit Patozi, i cili i njohu delegatët me raportin e komisionit të organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale, si dhe me procedurat e votimit. Pas Patozit në foltore u ngjit sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode, i cili i njohu delegatët me raportin mbi ndryshimet statutore. Në një atmosferë festive, i duartrokitur nga të gjithë të pranishmit brenda në sallën e Pallatit të Kongreseve, por dhe nga të pranishmit e shumtë të mbledhur në hollin jashtë, erdhi kryetari i PD-së, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, Liri Berisha.
Fjala
Gjatë fjalës së tij Berisha vuri theksin në suksesin e PD-së ndër vite, në vlerat që mbron kjo parti dhe në projektin e Shqipërisë europiane. “Ne e kemi sekretin e suksesit, ne e kemi suksesin e vazhdimësisë. Ai qëndron në pasionin tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë, për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se synimi i tij është projektimi i Shqipërisë europiane.
“Asgjë nuk do të mund ta ndalojë vrapin në ndërtimin e Shqipërisë europiane. Shqipëria europiane nuk mund të jetë tjetër veçse Shqipëria me infrastrukturën më moderne në rajon.
Shqipëria europiane do të jetë Shqipëria e zemrës së dhimbsur, Shqipëria europiane do të jetë Shqipëria me fytyrën më sociale, më njerëzore, ndaj edhe në këtë mandat do të vazhdojmë të përparësojmë cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantimin e tij për çdo qytetar, si objektiv më absolut”, - është shprehur kryetari i PD-së. Ai tha se maxhoranca që ai drejton është e vendosur të zbatojë ligjin dhe t’i japë mafies përgjigjen e merituar. “Kjo maxhorancë është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që i ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë imazhin vendit”, - është shprehur Berisha. Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së dhe i qeverisë u shpreh i hapur për të bashkëpunuar me opozitën për reformat madhore të vendit. “Garantoj opozitën se do të ketë hapësirën më të madhe, respektin më të thellë në misionin e saj, sikundër i ofroj në emrin tuaj frymën e bashkëpunimit, të mirëkuptimit për reformat e mëdha, por, nga ana tjetër, e paralajmëroj se pasioni im për lirinë nuk do të pranojë kurrë që një grusht pinjollësh të Bllokut, të mund të nëpërkëmbin vullnetin e lirisë, vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, - është shprehur Berisha. Në fund të fjalës së tij ai vlerësoi koalicionin qeverisës dhe bashkëpunimin me LSI-në e Ilir Metës, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me të është afatgjatë. “Ndjehemi shumë krenar që qëndrojmë në këtë ideal, jemi shumë të kënaqur që në këtë koalicion kemi një parti që përfaqëson interesat e vërteta të elektoratit të majtë. Të vendosur të ecim së bashku në zgjedhjet e 2011-shit, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2013-s, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2024-s. E kemi ne sekretin e suksesit, e kemi ne suksesin e vazhdimësisë. Ai qëndron në pasion tonë për lirinë, në përkushtimin tonë për lirinë, për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve”, - është shprehur Berisha.

Fleta e votimit

Delegatët u pajisën gjatë mbledhjes së djeshme të Kuvendit Kombëtar me dy fletë votimi, njërën për kryetarin e partisë dhe njërën për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në fletën për zgjedhjen e kryetarit të partisë delegatët kishin tri opsione: të votonin pro Berishës, kundër tij ose të abstenonin. Ndërsa fleta për anëtarët e Këshillit Kombëtar përmbante emrat e 400 kandidatëve. Delegatët që thirreshin për të marrë pjesë në votim në bazë të qarqeve duhej të votonin për jo më pak se 50 prej tyre dhe jo më shumë se 100 prej tyre. Nga ky proces votimi pritet të zgjidhen 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së. Drejtuesit e PD-së bënë të ditur se rezultati për anëtarët fitues për Këshillin Kombëtar do të dalin pas disa ditësh, pasi procesi i numërimit të votave kërkon më tepër kohë.

Pollo, Patozi e Topalli: Nuk ka vend për kandidat rival përballë Berishës

Deputetët e Partisë Demokratike mendojnë se pavarësisht se gara për kryetarin e partisë ishte vetëm një kandidat, kjo tregon cenim të demokracisë së brendshme të partisë. Sipas tyre, në këtë Kuvend të fitores nuk ka vend për një kandidat rival përballë Berishës. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, nënkryetarja e PD-së, Topalli u shpreh se sukseset e PD-së ndër vite janë meritë e drejtimit të kësaj partie nga Sali Berisha. Ndërsa Patozi, i pyetur nga mediat për mungesën e një kandidati rival përballë Berishës, u shpreh se nëse do të kishte një të tillë, gara do të ishte artificiale. “Fakti që Berisha nuk kishte një kandidat përballë nuk e bën aspak garën jodemokratike. Në partitë simotra europiane, kryetari i partisë fituese në zgjedhje miratohet me duartrokitje ose me votim të hapur me dorë. Ne nuk e bëmë këtë. Por mendoj se është më mirë që të kandidosh me një kandidat sesa të nxjerrësh një kandidat kukull, siç e bëri PS-ja. Ne jemi nuk kemi nevojë për një kandidat kukull si Lakrori”, - është shprehur Patozi. Ndërsa Genc Pollo, i cili vite më parë ka kandiduar përballë Berishës për postin e kryetarit të PD-së, shpjegon se PD-ja e 2009-s ka evoluar shumë dhe se gara me një kandidat rival përballë Berishës do të ishte falsitet. “Partia Demokratike e vitit 2009 ka ndryshuar, vitet kanë sjellë evoluimin e trupës politike dhe Berisha është ai që ka shkruar historinë e kësaj partie. Kandidimi i Berishës me një kandidat rival do të ishte falsitet dhe do të sillte një garë artificiale”, - është shprehur Pollo

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›