E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët votojnë më 12 dhjetor për kryetarin e ri

Kryesia e Partisë Demokratike përcaktoi dje 12 dhjetorin si ditën kur demokratët do të votojnë për kryetarin e ri. Kupola blu vendosi gjithashtu edhe ngritjen e dy komisioneve brenda partisë. Në ditëlindjen e 19-të, selia blu do të votojë dhe më pas do të festojë për kryetarin dhe festën e 12 dhjetorit. Kryesia vendosi modalitetet dhe hapat që demokratët do të ndjekin për një muaj e gjysmë deri në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Komisioni për ndryshimin e statutit do të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode dhe komisioni për organizimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga nënkryetari Astrit Patozi.

Zgjedhjet në PD

Kuvendi Kombëtar i PD-së do të fillojë maratonën e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike të shtunën e 12 dhjetorit në orën 10.00 në Pallatin e Kongreseve. Kryetari aktual, Sali Berisha, do të kërkojë rikonfirmimin në krye të PD-së nga Kuvendi Kombëtar. Ndërkohë që për momentin mungon emri i demokratit që do të sfidojë Sali Berishën. Pas mbledhjes së Kryesisë, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, bëri me dije se ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Demokratët synojnë që këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit.

Komisionet

Komisioni për ndryshimin e statutit do të drejtohet nga Ridvan Bode, i cili do t‘i sjellë selisë blu një dokument të ri rregullash. Vlen të theksohet se në gjithë këto vite, drejtuesit e selisë blu nuk kanë qenë korrekt në zbatimin e statutit, duke shmangur në këtë mënyrë përplasjet brenda llojit. Sekretari i përgjithshëm i demokratëve, Ridvan Bode, do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat për të ndryshuar disa pika në statutin aktual të PD-së. Zgjedhja e kryetarit sipas parimit një anëtar një votë, duket se do të jetë një ndër pikat e parashikuara prej kohësh për t‘u përfshirë në dokumentin që përcakton rregullat në PD. Kryesia e Partisë Demokratike në plotësim të detyrimeve statutore vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode. Kjo është perceptuar nga demokratët si një formë reflektimi për të analizuar gabimet në zgjedhjet e 28 qershorit.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›