"Gjyqtarët dhe prokurorët fshehin pasuritë e tyre"
Gjyqtarët dhe prokurorët maskojnë pasuritë e tyre përmes transferimeve të parave. Ky është rezultati i nxjerrë nga raporti i Qendrës për Transparencë dhe Informimin e Lirë për vitin 2008-2009. Organizatorët nuk kanë preferuar të publikojnë emrat e zyrtarëve që kanë fshehur pasurinë për të respektuar etikën, duke ia dorëzuar ato vetëm Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Raporti nxjerr gjyqtarët dhe prokurorët si kategoritë e zyrtarëve me më shumë pikëpyetje për pasurinë e tyre, të cilën shpeshherë e maskojnë përmes transferimeve. Në këtë dokument vërehet se një tjetër mënyrë që zyrtarët zgjedhin për t‘u shpëtuar hetimeve është fshehja e pasurive të tyre. Gjyqtarët dhe prokurorët, sipas raportit, fshehin të ardhurat duke mos deklaruar apartamentin, truallin apo garazhet që kanë në dispozicion. Transferimi i pasurisë, dhënia hua apo dhuratë është forma më e dukshme e abuzimit që Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë ka referuar në përmbledhjen e saj më të fundit. "Kemi dhurim vilash, apartamentesh, makinash", thuhet në raport.
Nga 4500 zyrtarë që janë subjekt i deklarimit të ligjit për kontrollin e pasurisë dhe atij për konfliktin e interesit janë kontrolluar dhe investiguar 119 zyrtarë dhe politikanë. Janë seleksionuar 24 deputetë dhe ministra, 34 zyrtarë të lartë të administratës publike, 31 zyrtarë të pushtetit lokal dhe 30 gjykatës e prokurorë nga 646 që janë gjithsej në të gjithë vendin. 68% e gjykatësve të kontrolluar punojnë në gjykatat e Tiranës, ndërsa 32% në gjykatat e rretheve. Transferimi i pasurisë është tipik për gjykatësit dhe prokurorët që kanë marrë ose dhënë pasuri nga të tjerët. Në raport theksohet se ka raste të dhurimit të vilave, apartamenteve apo makinave. Një tjetër pikë që vihet re në raport është edhe deklarimi për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë. Sipas këtij raporti, në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara te të tjerët kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai ose vëllai.
Udhëtimet jashtë vendit për periudhën 2005-2008 janë një tjetër investigim që është përfshirë në këtë raport për gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas të dhënave, mesatarisht një gjyqtar ose prokuror ka udhëtuar afërsisht tri herë në vit jashtë shtetit për vitin 2005, katër herë për vitin 2006, pesë herë për vitin 2007 dhe katër herë në vitin 2008. Por, në raport thuhet se ka edhe gjyqtarë që nuk kanë udhëtuar asnjëherë brenda një viti jashtë shtetit. Ajo që duket më interesante në këtë përmbledhje është fakti se vetëm 1% ose 3 gjyqtarë apo prokurorë zgjedhin autobusin për mjet udhëtimi, ndërkohë që pjesa tjetër udhëton me makinë.
E.Ajazi