E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratizimi, Arvizu: E shkuara, jo justifikim për dështimet

TIRANE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu gjatë konferencës ndërkombëtare, “Demokratizimi i mëtejshëm i rajonit si kriter për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar se procesi i demokratizimit për Shqipërinë nuk është i lehtë, ndërsa shtoi se nuk duhet përdorur më e kaluara si justifikim për dështimet.

"Demokratizmi nuk është thjesht një kriter për integrimin rajonal. Është procesi që vendos kornizën që populli shqiptar të punojë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare. Demokratizimi nuk është proces i lehtë, veçanërisht për një vend që ka qenë në një sistem autokratik për disa breza, sepse kërkon durim, bashkëpunim dhe gatishmëri për të vendosur të ardhmen e përbashkët të vendit përpara ambicieve personale", tha Arvizu duke shtuar se, "E shkuara mund të ndikojë në disa prej sfidave që Shqipërisë i duhet të kapërcejë për të paraqitur një kulturë më demokratike, por e shkuara nuk mund të përdoret më si një justifikim për dështimet e Shqipërisë në zbatimin e proceseve demokratike dhe në ecjen e saj përpara", nënvizoi ambasadori më tej.

Sipas ambasadorit SHBA-të vazhdojnë të nxisin Shqipërinë “për bashkëpunim dhe dialog ndërpartiak për të zbatuar reformat e nevojshme demokratike". Ai tha se, "Integrimi evropian është një përgjegjësi kolektive dhe do të jetë përfitim i përbashkët".

Arvizu theksoi se, Sllovenia dhe Kroacia janë shembuj rajonalë të vendeve që kanë ngadhënjyer sfidat për të ndërtuar një kornizë që u ka lejuar ose do t’u lejojë atyre hyrjen në Bashkimin Evropian, ndërsa shtoi se SHBA e BE vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë që të ecë në rrugën e demokratizimit.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Demokratizimi, Arvizu: E shkuara, jo justifikim për dështimet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›