Edi u bë si Faja i fikut. Ia ndolli vetes
Duket se ajo katruvja e ujit për t’u ftohur në pus, hyr e dil, kaq e pat edhe ajo. Pas ciflosjes, u përplas në anët e pusit dhe u bë copash. Edi Ramës, që na u bë si ajo bretkosa e La Fontenit që do të trashej sa një ka, i erdhi sosja, më së fundi, si asaj protagonistes së fabulistit francez. Pati edhe ndihmën e atij plakut të dështuar në vendin e tij, të atij dështakut që s’bëri hair në Kosovë, dhe nuk u votua në kandidaturën e deputetit. I mbeti dashuria për Edi Ramën dhe mburrnin njëri-tjetrin pas asaj katrahurës bolshevike, që Rexhepi e kishte quajtur, - se nuk i durohej, - “të vonuar”. Populli ka dy lokucione, të paktën: Gjen çetelja çetelen; ose: gjen tenxherja kapakun.
Kur Enverit i vdiq, në rininë e tij të hershme, i vëllai Beqiri, xha Halili tha: - “Më vdiq i miri, më mbeti rezili!”. Më parë akoma, kur ishin të vegjël, shokët e fëmijërisë e kishin parë këtë ‘rezilin’ të zinte zogjtë e vegjël, të hapte gropën në muret prej qerpiçi dhe t’i fuste brenda e t’i balsamoste. Tregonte shenjat e para të markezit De Sade, nga i cili doli emri “sadizëm”. Në liceun klasik francez të Korçës, kur banonte në të njëjtën dhomë me qira me Vedat Kokonën dhe kishte në ngarkim bibliotekën e shkollës, - se paguhej me orë pune, - kemi kujtimet e të dyve. Vedati shkruan se nuk i kishte folur asnjëherë për politikë, madje i tërhiqte vëmendjen sesi humbiste gjithë atë kohë, për korrigjimin e hartimeve të studentëve, ndërsa mund t’i hidhte një sy hyrjes, një vështrim tjetër andej nga mesi dhe të shihte paksa fundin e hartimit dhe tëk-fëk, të vinte notën. Sa njeri praktik! (Edhe Liri Belishovës i kishte bërë përshtypje kur i kishte thënë se vonohej shumë për të nxjerrë përfundimet nga një artikull, duke i hedhur një shikim fillimit, mesit dhe fundit dhe nxirrej për bukuri domethënia...). Ndërsa B. Ajazi tregon sesi e rropi së zhvaturi profesor Brezhoin kur ky shkonte në Francë gjatë pushimeve verore, duke ngrënë e pirë qyl në emër të profesorit dhe duke faturuar shpenzimet në listën e pagesave mujore. Profesori kishte pas qenë dakord! Lindi një konflikt me bashkëshorten e prof. Brezhoit, por Enverit nuk i skuqej e as nuk i zverdhej fytyra, - siç shkruan B. Ajazi. Selman Rizën e kishte marrë zët se ishte ‘as’ si në matematikë, ashtu edhe në lëndët shoqërore, ndërsa Enverit i mbeteshin gjithmonë notat “Passable”. E, megjithatë, E.H.- s i doli bursa për në Francë, sipas Beqirit, se Zogu bënte politikë pajtuese ndaj emigrantëve kundërshtarë dhe i kunati i Enverit, Bahri Omari, ishte i arratisur si antizogist në Itali. Mosmirënjohja ishte një nga tiparet e shumta negative të Enverit. Ai shfarosi mirëbërësit. Duke filluar me Bahriun dhe me Syrja Selfon, që e mbajti gjatë luftës me shtëpi me qira, të zënë enkas për Enverin dhe me subvencione financiare. Epilogu? E vrau Syrjanë dhe ia vuri fajin Koçi Xoxes. Por ky i fundit nuk e hëngri sapunin për djathë. Njihet kjo thënie e Koçit në gjyq: “Nuk kam bërë asnjë dënim gjyqësor, pa miratimin e E. H.-s! Eqrem bej Libohova u interesua personalisht për t’ia nxjerrë bursën E.H.-s. Megjithatë mosmirënjohësi bëri kërdinë ndër familjarët dhe kushërinjtë e E. Libohovës!
U tregua mizor edhe ndaj kushërinjve të vet. Të tillë ishin edhe familjarët me mbiemrin Peshkëpia. E kishte mbajtur njërin prej tyre dy muaj në shtëpinë e vet, në Tiranë. Me gjithçka, të ngrëna e të pira. Pastaj E.H.-a vrau një nga më të afërtit e kësaj familjeje.
Në Bruksel ishin në një tavolinë Mentor Çoku, Enveri dhe vajza e konsullit Marothy, që priste e përcillte miqtë e të atit, në mungesë të këtij. Kur kjo vajti në banjë, Enveri i hapi çantën me gishtërinjtë e tij të shkathët dhe i zhvati një shuk nga dollarët e çantës. Mentori u revoltua dhe i bërtiti që t’i vinte në vend, përndryshe do të bënte skandal! Ndaj M. Popoviçit dhe D. Mugoshës e ndërroi fletën kur erdhi Velimir Stojniçi që i zëvendësoi si njërin, ashtu edhe tjetrin, duke i akuzuar ata të parët për terrorizëm. “Unë isha hija e Miladinit”- tha pa pikë turpi në Plenumin e Berat Enver Hoxha (Mustafa Gjinishi është vrarë me firmë të Miladinit dhe të Enverit, Pastaj u varros me nderime, kinse Mustafa u vra nga gjermanët! Më tej u shpall sërish tradhtar! M. Popoviçi i kishte thënë sekretares së K,Q., Flora Dishnicës: - “Ne po ikim, por mjerë Shqipëria se ç’do të heqë nga E.H.-a). Nexhmija, në kujtimet e saj, e falsifikon ngjarjen. Por letra e vet “mallëngjyese” ndaj Dushan Mugoshës, ka firmën e saj!
Dje, në një emision televiziv të drejtuar nga Artur Zheji ishin në një panel dy monarkistë, djathtas podiumit, të themi, dhe një përfaqësues i P. Komuniste dhe një tjetër i P. së Punës, përballë. Në të vërtetë Edi Rama ka në aleancën e tij “merr nga kopshti e fut brenda” e tani është në koalicion me dy të PK-së dhe me dy të PP-së. Por nuk erdhën të katërt, për simetri. Sidoqoftë këta të dy bënë apoteozën e E.H.-s. Doemos edhe s’lanë gjë pa vjellë kundër Ahmet Zogut I. Të dy monarkistët thanë gjëra të qenësishme për personin që kishte konsoliduar shtetin ligjor shqiptar. Një shtet që u modernizua gjatë regjimit të Presidentit dhe, njëherësh më pas, të monarkut tonë. Një shtet pa luftë klasash. Përkundrazi, me trajtimin njerëzor ndaj kundërshtarëve të vet të arratisur. Pra, që tregoi se ishte i përkushtuar, dhe ia arriti që të bënte, një Pajtim Kombëtar të njëmendët për prosperitetin e Shqipërisë. Diametralisht të kundërt me atë faqen e zezë të të ashtuquajturit Pajtim (i thënçin) të Ibrahim Qoses në një tryezë në të cilën komunistët u vunë në kreun e tavolinës dhe nuk pranonin të kërkonin ndjesë për krimet e Enverit ndërsa përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, - në bisht të tavolinës, - u lanë që të shndërroheshin në figurantë të justifikimit të krimeve të Enverit. Një farsë që dështoi pa filluar. Nonarkistët përballë kishin për argument epërsinë e regjimit zogist në kufijtë e lirë, në mungesën e luftës së klasave, në rendin e konsoliduar, në institucione të kualifikuara, në vlerësimin e frangut ar, në patriotizmin e tij. Por komunistët filluan nga shabllonet e përsëritura e të ripërsëritura për largimin nga vendi, në prillin e ’39-s. Nuk dinë asgjë për librin e përkthyer në shqip nga “55-a” të Gunnar Riebs-it, “Një princ në bregun e kaltër”. Aty tregohet sesi të gjithë monarkët u larguan për të treguar mospajtimin me okupatorët, me përjashtim të mbretit Leopold të Belgjikës. Kjo u quajt një fatkeqësi për monarkinë belge, se okupatorët gjermanë e komprometuan. De Goli, a nuk u largua nga Franca për të organizuar qëndresën në Angli? Pastaj nxorën atë “shitjen” e Shën Naumit, me një sipërfaqe sa një stadium. Më tej, kur ana tjetër e panelit nxori atë dokumentin e Mehdi Frashërit për shkëmbim të Shën Naumit me territore të tëra në Prespë, të banuara nga shqiptarë, dy të tjerët bënë zhurmuesin, duke folur me zë të çjerrë e me gjestikulacione si ato të Ramës: - Retorikë, retorikë! – thoshin me zë të mbytur.
Me këtë farë ‘aleatësh’ në koalicion, me manifestimet entuziaste të dr. Berishës, ku nuk ke ku të hedhës mollën, me haberet e hidhura se edhe në koalicionin e vet nuk është kryeministri i vetëm si kandidat, po e humbet fare toruan. Daullet po e humbasin lezetin dhe humorit të tij të shakarave pa kripë po i del boja. Tashmë ajo “Ra Faja prej fikut” po i shndërrohet në bumerang. Në halucinacionet e veta, sëmundje e miturisë, po i ngjan se degët e fikut po thyhen njëra pas tjetrës, Dhe po i përftohet se kërcënimet e tij që do të prishë koncesionet, se do të përzërë investitorët e huaj, se do të pushojë mësuesit që çojnë nxënësit në ‘mitingjet e Saliut’... - po i marrin me të tallur. (I harroi të miturat e orgjive të Pezës, në 16 shtatorët e lavdisë për Enverin!). Më e keqja është se po kaplohet nga vegimet, në të cilat i duket vetja si në vend të Fajës që po bie nga fiku... I shkreti! – thoshin për Tartufin e Molierit.