Ideologu i shkatërrimit të interesave kombëtare, Rexhep Qosja, kumbara i së drejtës së serbëve të Kosovës për vetëvendosje
Rexhep Qosja foli për heshtjen dhe për çmimin e saj. Ky njeri që ishte dhe vazhdon të jetë aq i zëshëm për të nxitur shkatërrimin e interesave kombëtare e shtetërore, por që ka heshtur sa herë që krimi, dhuna dhe veprimet e tjera destruktive ua merrnin jetën shqiptarëve, edhe pas shumë vitesh kujtohet për heshtjen. Dhe heshtja ka çmim vetëm për shkak të arrestimit të “grupit të Drenicës”, përkatësisht të Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe disa të tjerëve nga misioni i “EULEX”-it, por jo edhe për vrasjen e Xhemail Mustafës, as të Bekim Kastratit, as të Besim Dajakut, as të Shaban Manajt, as të Ismet Rracit, as të kolonel Ahmet Krasniqit, as të kolonel Tahir Zemajt, as të Smajl Hajdarajt, as të Ali Ukajt, as të të gjithë të tjerëve. E Rexhep Qosja kurrë nuk ka folur për asnjë vrasje, kurrë nuk ka dënuar asnjë krim dhe kurrë nuk e ka distancuar veten nga të këqijat që u kanë ndodhur njerëzve, popullit, kombit dhe shtetit shqiptar. Unë dua ta mirëkuptoj Rexhep Qosjen për ato që thotë lidhur me arrestimet në fjalë, edhe pse ato janë thjesht arrestime, ashtu siç ishin edhe të Fatmir Limajt, të Ramush Haradinajt dhe të të tjerëve si këta, por si ta mirëkuptojmë heshtjen përballë krimit? Vallë nuk kanë qenë ushtarë të Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi, kolonel Tahir Zemaj, Besim Dajaku, Bekim Kastrati dhe të tjerët si këta? Po a e di Rexhep Qosja se Bekim Kastrati ka qenë drejtor i burgut në Likovc, pra i burgut qendror të UÇK-së? Po a di Rexhep Qosja se Besim Dajaku, deri në fund ka qëndruar me armë në dorë në radhët e UÇK-së? Po a e di Rexhep Qosja se është beteja e Loxhës e udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj ajo që u dha dinjitet shqiptarëve? A e di Rexhep Qosja se është beteja e Koshares e planifikuar dhe e organizuar nga Salih Çekaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Fadil Hadërgjonaj, Anton Çuni dhe shokët e tyre, ajo që ndryshoi pakthyeshëm rrjedhat e luftës në Kosovë? A nuk ka pasur zë Rexhep Qosja për të thënë qoftë një fjalë të mirë për ta? A nuk ka pasur zë Rexhep Qosja për të folur kundër vrasjeve të kolonel Tahir Zemajt, të Bekim Kastratit, Besim Dajakut dhe të tjerëve si këta? Apo këta ishin përkrahës besnikë të presidentit Rugova dhe të filozofisë së tij politike? Vallë kaq e madhe të ketë qenë urrejtja e Rexhep Qosjes? Vallë a duhej dhe a duhet që të gjithë ata që kanë qenë dhe janë me presidentin Rugova, të vriteshin dhe të vriten? Të them se e tërë ky është një turp për Rexhep Qosjen, nuk e di sa ia vlen, sepse Rexhep Qosja ka dëshmuar se nuk quan të turpshme as kriminale asgjë që drejtohet kundër atyre që kanë qenë dhe janë me filozofinë politike të presidentit Rugova, sepse është kjo filozofi politike që i dha fund demagogjisë dhe kotësirave neoromantike që kishte shkruar ai. Koha kur nga Kulla e fildishtë bëje libra të bukur dhe kruaje shpinën me dorën që ta puthnin servilët, kishte përfunduar kur u shfaq presidenti Rugova me filozofinë e tij politike. Prandaj Rexhep Qosja ka urrejtur dhe urren presidentin Rugova dhe të gjithë ata që e mbështetën atë dhe që sot vazhdojnë ta mbështesin filozofinë politike të tij. Prandaj, Rexhep Qosja nuk pati zë për gjithë ato krime dhe për gjithë ato vrasje që u bënë qoftë gjatë luftës, qoftë pas saj. Dhe nuk pati zë, sepse ai vetë ishte ideolog, ishte zëdhënës dhe nxitës i akteve më të rënda kundërkombëtare, siç ishte anarkia e vitit 1997, kur shteti shqiptar mori një goditje të rëndë dhe ishte buzë shkatërrimit, kur Kosova u mbush me rekrutë të shërbimeve sekrete kundërshqiptare, me struktura mafiozo-politike shqiptare të kontrolluar nga Beogradi, Athina dhe qendra të tjera kundërshqiptare. Kush më shumë se Rexhep Qosja ka qenë i zëshëm për të nxitur dhe për të mbështetur turpin e shqiptarëve PS-në, strukturat mafiozo-politike shqiptare dhe agjenturat e shteteve kundërshqiptare për të shkatërruar shtetin për llogari të interesave sllavo-ortodokse? Prandaj e kuptoj Rexhep Qosjen kur flet për heshtjen dhe për çmimin e saj në raport me “grupin e Drenicës”, ani që edhe këta mund të jenë viktimë e pazareve të vetë shokëve të tyre, qoftë për të shpëtuar kokën e vet, qoftë për të siguruar qëndrimin në pushtet, qoftë edhe për të vazhduar ta dëmtojnë më tej Kosovën dhe shqiptarët.
Unë e kam thënë vazhdimisht që sa vite se qëllimi i anarkisë së vitit 1997, vetëm shkas ka pasur skemat piramidale, por qëllimi i vërtetë ka qenë që të përmbysej me dhunë një qeveri demokratike dhe në vend të saj të vinte dhunshëm një qeveri prosllavo-ortodokse, e cila do të duhej t’u mundësonte rekrutëve shqiptarë të shërbimeve sekrete serbe, strukturave mafiozo-politike shqiptare të merrnin monopolin mbi UÇK-në dhe në emër të luftës çlirimtare, t’i mundësonin Beogradit që të ushtronte gjenocid, masakra dhe krime kolektive mbi shqiptarët, për të ndryshuar baraspeshën etnike dhe relievin etnik të Kosovës në funksion të interesave serbe në Kosovë, e që në masë të madhe janë materializuar në marrëveshjet e fundit ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit. Dhe në këto angazhime, kontributi i Rexhep Qosjes ka qenë tepër i madh, sepse ky ka qenë dhe ka mbetur burim frymëzimi i tërë së majtës shqiptare qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë apo gjetiu, pasi që ky në fakt ka qenë ideologu i anarkisë së vitit 1997, ka qenë ideologu i puçit ushtarak në Kosovë, ka qenë zëdhënësi i interesave serbe në Kosovë, njeriu që fërkoi duart kur ndodhi 21 janari dhe që nga ekzaltimi nuk përtoi të zbriste edhe vetë në Tiranë për t’i dhënë kurajo opozitës së majtë shqiptare që të mos ndalin aksionet kundër Berishës. Rexhep Qosja vetë e ka thënë me gojë më 1999 se do të ishte i gatshëm të pranonte të drejtën e serbëve të Kosovës për vetëvendosje. Dhe njeriu që në kohën kur mbi popullin e tij bëheshin masakra dhe gjenocid, në kohën kur populli i tij dëbohej nga Kosova më masivisht se më parë, dilte hapur dhe deklaronte se do të pranonte të drejtën e serbëve të Kosovës për vetëvendosje, si mund të dalë tash kundër marrëveshjeve që çojnë drejt realizimit të interesave serbe në Kosovë?