E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vëzhgim mbi panikun që po reflektohet tek e majta

05-06-2013 / Nga Eden Babani

Paniku që ka kapluar liderin e opozitës për humbjen e radhës, ka ca ditë që po njeh nivele tepër të larta. Me këto ritme në ngritje e sipër, s’është çudi që dita e zgjedhjeve të njohë ndonjë majë të paarritshme, që t’ia kalojë edhe majës së Himalajeve. Ditë për ditë, Edi Rama po shpik nga një kërkesë për të bërë trysni ndaj qeverisë, e cila ka përgjegjësinë e organizimit të zgjedhjeve jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, tepër e interesuar për zgjedhjet e sivjetshme. Duket se shpresa për ndonjë rrotacion të mundshëm e të natyrshëm në mungesë të ideve alternative përballë atyre të koalicionit të djathtë, sa vjen e po venitet.
Në këto kushte, sherret e brendshme në koalicionin e majtë, sidomos ato brendapërbrenda Partisë Socialiste, po e shtyjnë Ramën drejt një fushate elektorale të dhunshme, mënyra e vetme për të mbajtur situatën politike të tensionuar, mënyra më e sigurt që të bëjë të besueshme alibinë e humbjes. S’ka ditë që lideri socialist të mos e dhunojë opinionin publik me kërcënime për kallëzime dhe hetime penale edhe atje ku ato nuk gjejnë shtigje kalimi. Herë kërcënon nxënësit e drejtorët me bindje të djathta, herë nëpunësit e administratës shtetërore, herë atë e herë këtë. Kush ia mblodhi në Kavajë atë grusht njerëzish, disa prej të cilëve u fshiheshin kamerave televizive ndërsa ai lëshonte mbroçkulla për dhunimin e simboleve të demokracisë? Në rast se do të fitojë e do të bëhet një ditë kryeministër, a do kërkojë të gjejë fajtorë edhe në Kavajë apo në të tjera zona ku bashkitë e komunat administrohen nga e majta?
Dje i ra ndërmend t’i kërkonte Prokurorit të Përgjithshëm krijimin e një Task-Force me objekt të vetëm hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve”. Pa hyrë në detaje nëse kërkesa e Ramës është apo nuk është në përputhje me legjislacionin shqiptar, nëse Ligjvënësi e ka parashikuar apo jo “hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve”, as më shumë, as më pak kjo do të thotë të paragjykohet përfundimi i  zgjedhjeve, përpara se ato të zhvillohen. As më shumë as më pak, kjo do të thotë se alternativat e programit të ashtuquajtur “Rilindje” s’po i bindin më votuesit, të cilët sa vjen e po shterin nëpër mitingjet e tij elektorale. Edi Rama e sheh se premtimet e tij pafund për çdo gjë, të arritshme e të paarritshme realisht, tashmë nuk i beson kush. Jo votuesi i thjeshtë, por as militantët e tij, madje as ai vetë nuk e mban mend gjithçka premton, ngase, duke mos pasur ide qeverisëse, improvizon si t’i vijë e ku t’i vijë.
Në këtë panik që e ka kapluar, dje në Twetterin e vet shkruante në mënyrë tejet të mjegullt: “Flm dy mësueseve nga Roskoveci! Denoncuan drejtorin qe i kërkon me zor në mitingun e Saliut! Ky soj fanatikesh do ndëshkohet publikisht”. Që ta bënte sa më dhunshëm mesazhin e vet ndaj opinionit publik, lëshoi brenda tre çerek ore dhjetëra kinse komentues “kundër Saliut” të bombardonin opinionin me copa fragmentesh që ngjanin si dy pika uji me njëra-tjetrën, si nga brendia, si nga gjuha vulgare, ashtu edhe nga emrat e tipit “turi”, “EL TI”, “enio”, “ergi”, “Eni”, “papi” etj., etj.
Ja si do të shkruante komentuesi Dani, për sa më sipër: “Shikoni sa të zellshëm janë marionetat e Edit. Duke pare që po e humbin betejën edhe në komentet e njerëzve kanë filluar të na bombardojnë me propagandë. Vini re me kujdes, thuajse të  gjitha komentet nga ora 10 deri ne ora 10:45 janë shkruar nga i njëjti person vetëm me emra të ndryshëm. Si duket Edi duke e parë se ka humbur betejën me njerëzit e thjeshte, ka filluar të  punësojë njerëz vetëm për të bërë komente”.
E vërteta është e qartë: llahtar e panik. Komentet e tjera janë të tepërta.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›