Demolli: S'kemi presion ndërkombëtar për reformën zgjedhore

Nëse nuk ka konsensus ndërmjet partive për këtë çështje, atëherë nuk mbetet gjë tjetër pos që propozimet të shkojnë në Kuvend për t’u votuar.
Kështu ka deklaruar të mërkurën kryetari i Komisionit për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Haki Demolli, pas takimit të rregullt që ka pasur me përfaqësuesit e tjerë të këtij komisioni.
Ndonëse në këtë Komision ka shumë divergjenca në mes anëtarëve të partive politike për përcaktimin e zonave zgjedhore, kreu i këtij Komisioni ka thënë se nuk kanë pasur kurrfarë presioni ndërkombëtar për tejkalimin e kësaj situate, duke shtuar se i tërë ky proces është vendor.
“Ju e dini se në grupin punues zgjedhor organet dhe institucionet ndërkombëtare kanë pasur përfaqësuesit e tyre dhe pikërisht në takimet me liderët janë të pranishëm edhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Kurse sa i përket kësaj divergjencës, po kjo ka qenë njëra prej arsyeve kryesore pse Komisionit ju ka vazhduar mandati për tre muaj nga ana e Kuvendit”, ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarët se a po e bllokon PDK-ja këtë proces të reformave zgjedhore, Demolli nuk e ka komentuar një gjë të tillë, duke shtuar se të gjitha partitë duhet ta japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Duke pasur parasysh se pajtimi në mes partive për caktimin e zonave zgjedhore është i vështirë, Demolli ka thënë se nëse nuk arrihet ndonjë pajtim, atëherë nuk mbetet gjë tjetër pos që propozimet të shkojnë në Kuvend, për miratim.
“Atëherë nuk mbetet diçka tjetër, sepse, ne si Komision, nuk mund t’i detyrojmë që të gjitha subjektet politike t’i përafrojnë qëndrimet e tyre politike, por ne do të bëjmë atë çka është e mundur nga ana e Komisionit”, ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarët se nëse alternativat e ndryshme shkojnë në Kuvend për miratim, a do të thotë kjo se procesi i reformës zgjedhore është i dështuar, Demolli ka thënë se nuk mendon se do të jetë i dështuar, por, sipas tij, tek e fundit Kuvendi është ai i cili vendos për të gjitha çështjet përfshirë këtu edhe draft-ligjin në tërësi.
Ai duke folur edhe për propozimet e LDK-së, parti prej nga vjen Demolli, duke thënë se LDK-ja është e përcaktuar për më shumë zona zgjedhore.
“LDK-ja ka qenë për versionin apo për variantin 10+zona, por është mjaft i përshtatshëm për LDK-në edhe varianti prej 26 zonave që nënkupton se të gjitha ish-komunat, apo komunat tradicionale të Kosovës, të cilat kanë një numër të elektoratit të mjaftueshëm për një mandat të caktuar në Kuvend, të jenë zonë e ndarë”, ka thënë ai.
Demolli ka shprehur besimin e tij se LDK-ja, në radhë të parë, do të dalë me një pako alternativash, të cilën e kanë aprovuar në kryesinë e kësaj partie, rreth së cilës, sipas tij, do të përafrohen të gjitha subjektet e tjera politike. /kosovapress/