Demonstrata, Doshi e Sterkaj në Prokurori
Tiranë- Deputetët e Partisë Socialiste pritet të përballen me Prokurorinë e Tiranës gjatë kësaj jave, për të dhënë dëshmitë e tyre mbi demonstratën e 21 Janarit. Tom Doshi, Paulin Sterkaj e Besnik Baraj kanë marrë prej kohësh fletë-thirrje nga prokurorët, por deklarimet e tyre u shtynë në kohë, për shkak se organi i akuzës u fokusua në mbledhjen e provave. Sterkaj dhe Doshi janë thirrur nga Prokuroria të deklarojnë rreth pozicionit të tyre në demonstratë, pasi ata janë filmuar disa herë pranë grupeve të njerëzve, një pjesë e të cilëve ndër më aktivët e dhunës së ushtruar ndaj forcave të policisë. Deputeti Doshi dhe Sterkaj ishin njoftuar të paraqiteshin në Prokurori në datën 25 janar, por deklarata e tyre u shty për shkak të disa angazhimeve të deputetëve. Ndërsa Besnik Baraj është deputeti që në cilësinë e kryetarit të PS-së së Tiranës, ka firmosur kërkesën drejtuar policisë për demonstratën e 21 Janarit. Dëshmitë e deputetëve të PS-së pritet të bëhen në kuadër të një pjese të hetimit mbi organizimin e demonstratës së dhunshme, gjatë së cilës u plagosën dhjetëra punonjës policie dhe humbën jetën 4 qytetarë.