E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i 21 janarit, në dyshim rithirrja e Ina Ramës

SHKRUAN: Fejzi Braushi 07-02-2011 10:18

Komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit nuk i ka nisur një kërkesë të dytë për marrje në pyetje kryeprokurores Ina Rama. Ndryshe nga sa premtoi publikisht Eduard Halimi, se do ta detyronte me anë të një kërkese të dytë kryeprokuroren Rama që të jepte shpjegime para komisionit lidhur me hetimin parlamentar që po zhvillohet prej gati dy javësh për atë që mazhoranca e ka konsideruar si tentative për puç shtetëror, një gjë e tillë jo vetëm që s’ka ndodhur deri më tani, por me shumë mundësi s’ka për të ndodhur as në të ardhmen . Burime pranë mazhorancës kanë bërë të ditur dje se pas zhvillimeve të fundit politike dhe ndëryrjes së faktorit ndërkombëtar, kreu i organit të akuzës mund të mos thirret më në pyetje nga Komisioni.

Tërheqja

Pavarsisht konfliktit të hapur që ka krijuar me mazhorancën dhe sidomos me komisionin parlamentar që po heton zhvillimet që i paraprinë dhe atyre që ndodhën më datë 21 Janar dhe më pas, kryeprokurorja Ina Rama duket se i ka shpetuar një ballafaqimi të dytë me anëtarët demokrat të këtij mekanizmi të posaçëm hetimor. Burime nga mazhoranca dhe pranë këtij komisioni kanë bërë të ditur se deri dje nuk është nisur asnjë kërkesë tjetër kundrejt drejtueses së organit të akuzës për t’u paraqitur, megjithëse kjo gjë u premtua nga vet Halimi fill pas refuzimit që Ina Rama i bëri pyetjeve të deputetëve vetëm disa ditë më parë duke u larguar në të njëjtën kohë në mënyrë demonstrative nga seanca e pyetjeve. Të njëjtat burime nuk kanë përjashtuar mundësinë që Ina Rama të mos thirret më në komision, dhe kjo për disa arësye dhe që lidhen si me ndikimin e faktorit ndërkombëtar ashtu edhe për vetë pritshmërinë e një tentative të dytë. Siç mësohet qëndrimet e hapura të përfaqësuesve të huaj në vendin tonë pro kryeprokurores Ina Rama ka bërë që mazhoranca të heq dorë të paktën në mënyrë ligjore nga “fërkimet” me të. I fundit që shprehu mbështetjen për kryeprokuroren ishte ambasadori I SHBA-së Arvizu vetëm dy ditë më parë, i cili edhe një herë theksoi se hetimin për ngjarjen duhet ta bëj prokuroria. Por jo vetëm kjo ka ndikuar në tërheqjen e mazhorancës nga nisma për ta marrë në pyetje kryeprokuroren, pasi deputetët e djathtë nuk do ta dëshironin një seancë të dytë të dështuar me kryeprokuroren. Kujtojmë se vetëm disa ditë më parë prokurorja e përgjithshme Ina Rama refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të komisionit parlamentar mbi ngjarjet e 21 janarit. Në fjalën që iu dha në fillim të seancës dëgjimore, Rama argumentoi se në bazë të ligjit, prokuroria nuk mund të japë informacione mbi proceset që janë në hetim e sipër. “Prokuroria është një organ i pavarur. Prokuroria i nënshtrohet vetëm ligjit. Çdo ngjarje kriminale e 21 janarit është objekt i hetimit të prokurorisë dhe vetëm pas hetimit prokuroria do ketë një përfundim. Hetimi i komisionit është i lidhur në mënyrë integrale me hetimet që bën prokuroria. Unë nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Unë i qëndroj vetëm ligjit”, deklaroi Ina Raman ë anë të seancë.

SHISH

Por përveç kryeprokurores në dyshim është dhe thirrja e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Bahri Shaqiri. Ndërsa për kryepkuroren problemi qëndron tek mbivendosja e hetimit, në rastin e drejtuesit të SHISH çështja është edhe më serioze pasi shumica e anëtarëve të këtij komisioni nuk kanë marrë çertifikatat e rregullta të sigurisë për të bërë të mundur marrjen në pyetje të një personi që ka informacione të klasifikuara dhe që prekin dhe interesat NATO-s. Burime pranë komisionit kanë bërë të ditur se 5 nga 6 anëtarët e këtij komisioni kanë marrë një çertifikatë të tillë, por që ka rezultuar e parregullt pasi dhënia e saj nga institucioni përkatës nuk ka marrë më parë dhe mendimin e vet SHISH për figurën e secilit deputetë. Nga 6 deputetët anëtarë të komisionit hetimor çertifikatë të rregullt sigurie e ka vetëm deputeti Fatos Hoxha, si anëtarë I komisionit të përhershëm parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Lidhur me këtë problem mësohet se vet kreu i SHISH ka informuar nëpërmjet një letre dhe NATO-n.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›