E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstrata, dy në pranga e një tjetër në hetim

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 01-02-2011 10:50

Tiranë- Policia e Tiranës ka vazhduar dhe gjatë ditëve të fundit verifikimet e pamjeve filmike të protestës së 21 janarit, ku ka bërë të mundur identifikimin e personave të tjerë, të cilët kanë ushtruar dhunë në të. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në orët e para të datës 29 janar është bërë i mundur ndalimi i Feta e Arjanit Mataj, respektivisht 29 e 38 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës. “Ndalimi i tyre u bë pasi këta persona, me datë 21 janar, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, kanë goditur me sende të forta punonjësit e policisë të planizuar me shërbim, për mbarëvajtjen e protestës dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike” – bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Gjithashtu mësohet se edhe një tjetër person është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.6, për të cilin filluan procedimin penal në gjendje të lirë. “Nga analiza që vazhdojnë t`i bëjnë ngjarjeve të ndodhura, informacioneve të grumbulluara dhe pamjeve filmike në këtë demonstratë, u bë i mundur nisja e procedimit penal në gjendje të lirë për Altin Koçekun, 19 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Procedimi ndaj tij, u bë pasi më datë 21.01.2011, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka konsumuar veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” – mbyllet njoftimi i Policisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›