Komandanti i Gardës i ndërron 4 truprojat kryeprokurores Rama
Tiranë- Katër nga truprojat e kryeprokurores Ina Rama, që nga dita e djeshme, nuk do të jenë më pjesë e eskortës së saj shoqëruese. Vendimi për këtë ndryshim të papritur të shoqëruesve është marrë nga drejtuesit e Gardës së Republikës dhe vetëm dje i është përcjellë zyrtarisht Prokurores së Përgjithshme. Sipas këtij urdhri, komandanti i Gardës së Republikës ka vendosur ndërrimin e katër prej pesë truprojave, të cilët shoqëronin kryeprokuroren që prej tetorit të vitit 2007, kur ajo mori detyrën në krye të organit të akuzës. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se janë njoftuar dje, me një urdhër zyrtar, të Gardës së Republikës, lidhur me këtë vendim. Sipas tyre, në urdhrin për ndërrimin e truprojave nuk ka asnjë motivacion, që të shpjegojë arsyet përse një vendim i tillë merret pikërisht në këtë moment, kur prej më shumë se 10 ditësh, ndaj kreut të Gardës dhe 5 oficerëve të tjerë ka një urdhër ndalimi të paekzekutuar. Të njëjtat burime pohuan se nga ana e Prokurorisë nuk ka pasur asnjë kërkesë për ndërrimin e truprojave të kryeprokurores, çka e bën edhe më të papritur dhe të pashpjegueshëm urdhrin për zëvendësimin e katër, nga pesë shoqëruesit. Dy shoferët dhe dy truprojat, që kanë shoqëruar kryeprokuroren për më shumë se tre vjet, tashmë janë komanduar në një tjetër detyrë, ndërsa eskorta e saj e re tashmë përbëhet nga katër gardistë të tjerë, të urdhëruar për të mbrojtur Prokuroren e Përgjithshme. Mësohet se vetëm një prej truprojave nuk është lëvizur nga detyra e mëparshme. Ajo është një femër, e cila shfaqet në krah të saj në çdo vizitë apo takim zyrtar. Ky vendim i papritur, i marrë për më tepër në kulmin e konfliktit të Prokurorisë me policinë, për mosekzekutimin e urdhër ndalimeve ndaj kuadrit drejtues të Gardës, nuk është komentuar nga institucioni që ka si detyrë të garantojë mbrojtjen e krerëve të shtetit. Vendimi i Komandantit të Gardës vjen pikërisht në momentin kur prokuroria ka lëshuar 6 urdhër-ndalime ndaj tij dhe pesë vartësve për ngjarjen e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 3 protestues dhe u plagosën me armë zjarri disa të tjerë. Mosekzekutimi i urdhër-ndalimeve nga policia dhe tentativa e dështuar për një përballje mes prokurorëve e gardistëve, që thelloi akoma më shumë konfliktin mes institucioneve ligjzbatuese, pasohet nga ky vendim, që është komentuar si i panevojshëm. Ky është rasti i dytë që Garda vendos të ndërrojë truprojat e kryeprokurores Ina Rama. Dy vjet më parë, me urdhër të drejtuesve të Gardës, është transferuar nga detyra e ruajtjes së kryeprokurores një tjetër femër, e cila përveç emrit të njëjtë, kishte edhe ngjashmëri fizike me kryeprokuroren. Asnjëherë motivet e këtyre rrokadave nuk u bënë të njohura, por menjëherë truproja e ngjashme me kryeprokuroren, u zëvendësua nga një tjetër femër, e cila qëndron në krah të Ina Ramës për më shumë se dy vjet. E ndërsa asokohe zëvendësimi i truprojës femër, nuk ngjalli interes apo koment, vendimi i djeshëm i Gardës së Republikës është cilësuar si i pashpjegueshëm, aq më tepër në një situatë ku urdhër-ndalimet mbeten të paekzekutuara, edhe pse janë lëshuar 10 ditë më parë.