Zv.ambasadorja e SHBA, 30 minuta në zyrën e Ina Ramës
Tiranë- Pas ambasadorit Aleksandër Arvizu, numri dy i diplomacisë amerikane takohet me kryeprokuroren Ina Rama. Paraditen e djeshme, Prokurorja e Përgjithshme ka pritur në takim zv. ambasadoren Deborah Jones, e cila ka qëndruar për rreth 30 minuta në zyrën e Ina Ramës. Takimi i djeshëm nuk u përcoll zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme, por mësohet se qëllimi i tij ka qenë hetimi i ngjarjes së 21 janarit. Vetëm pak ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme kërkoi ndihmën e ekspertëve amerikanë për kryerjen e disa ekspertimeve të rëndësishme, që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Kjo kërkesë mori miratimin në parim nga ana e Ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili u shfaq në krah të kryeprokurores gjatë konferencës së saj për shtyp. Kjo përgjigje u konkretizua pak ditë më vonë, kur Prokurorinë e Tiranës e vizituan dy përfaqësues të ambasadës, të cilët zhvilluan edhe një takim të nivelit teknik me prokurorët e dosjes “21 janari”. Sipas prokurorisë, ekspertëve amerikanë u janë vënë në dispozicion edhe një pjesë e filmimeve të mbledhura gjatë hetimit të këtyre ditëve, si dhe një pjesë e dosjes hetimore. Ende nuk janë përfshirë në hetim ekspertët e kërkuar, që pritet të jenë pjesë e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe ATF, të cilët pritet të njihen me dosjen sapo të mbërrijnë në Tiranë. Përveç ndihmës në nivel teknik, ditët e fundit Ambasada Amerikane, por edhe disa përfaqësi të tjera diplomatike, janë bërë pjesë e një lëvizje që ka si qëllim arritjen e një marrëveshjeje mes Prokurorisë dhe Policisë për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilat janë pezull prej më shumë se 10 ditësh. Në mungesë të ambasadorit, i cili ka udhëtuar drejt Uashingtonit dy ditë më parë, kontaktet për zgjidhjen e situatës së krijuar pas ngjarjes së 21 janarit po mbahen nga zv.ambasadorja Debora Jones.