E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblehen të pushkatuarit pa gjyq



Kuvendi miratoi dje ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Me 71 vota pro, 31 kundër dhe 1 abstenim, u miratua ndryshimi në ligj vetëm me votat e mazhorancës së djathtë, ndërsa opozita e cilësoi si një goditje ndaj Luftës Nacionalçlirimtare. Ndryshimi i ligjit përmban dy komponentë. Sipas ndryshimit të parë, dëmshpërblehen ish-të pushkatuarit pa gjyqe si dhe përfitimin mund ta marrin nipërit ose vëllezërit, në rast se nuk ka trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Opozita e kundërshtoi për shkak se, sipas saj, do të dëmshpërblehen kolaboracionistë që janë vrarë para vitit ’44, ndërsa ligji shprehet se afati i tij nis pas çlirimit të Shqipërisë, ndryshe nga sa pretendon opozita. Ai parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991.

Një tjetër komponent i këtij ligji është që të gjithë ata që përfitojnë, kanë afat deri në datën 1 korrik të këtij viti, të bëjnë gati dokumentacionin.

Tashmë pritet që të ndahet fondi i këtij viti prej 10 milionë dollarësh. Janë rreth 1400 fitues të këtij dëmshpërblimi. Në seancën e së hënës në Kuvend, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se fondet e ish-të përndjekurve nuk do të ndërpriten. Sipas tij, fondi për vitin 2008 do të shpërndahet së shpejti, por njëkohësisht premtoi se në muajin maj do të çelet edhe fondi për vitin 2009, i cili është 20 milionë dollarë. Sipas ndryshimit në ligj, përfitojnë dëmshpërblim pasardhësit, si vëllezërit dhe nipërit e të gjithë atyre që janë pushkatuar apo që kanë vuajtur në kampet me gjemba. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me shtyrjen e afatit të kërkesave për të kërkuar dëmshpërblim. Ish-të përndjekurit kanë kohë deri në datën 1 korrik të këtij viti të bëjnë kërkesat. Ndërkohë, të gjithë ata që aktualisht kanë bërë dokumentet gati, do të duhet të bëjnë një kërkesë të re. Ligji rregullon dy situata problematike të nxjerra në pah nga zbatimi i ligjit bazë, si dëmshpërblimi financiar i të ekzekutuarve pa gjyq dhe dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Pra, mjaft të eliminuar gjatë regjimit që s’kanë pasur pasardhës direkt, si kleri, pasardhësit e tyre si vëllezër, motra dhe nipër, do të përfitojnë këtë dëmshpërblim.

Nga ana tjetër, mund të ketë ndryshime të tjera në ligj. Kryeministri Berisha ka kërkuar edhe dëmshpërblimin e nacionalistëve të vrarë në vitet e diktaturës që u spiunuan nga agjenti i dyfishtë britanik, Kim Filbi. Ai tha se nisma ligjore nuk kërkon të dëmshpërblejë ish-kolaboracionistët, por nacionalistët dhe antikomunistët që u masakruan nga regjimi i Enver Hoxhës. Madje, Kryeministri i kërkoi Parlamentit një amendim për dëmshpërblimin e qindra nacionalistëve shqiptarë të cilët u vranë nga regjimi i Hoxhës, gjatë përpjekjeve të tyre në fund të viteve ‘40 dhe në fillim të viteve ‘50 për të rrëzuar regjimin e Hoxhës. “Krahas shpalljes së tyre “Martirë të Lirisë”, unë i propozoj Parlamentit që të ketë një amendament për dëmshpërblimin e tyre, sepse ata ranë që ne të bëheshim të lirë. Nuk është normale që të kalojmë në luftën e gjyshërve, sepse kjo nuk i shërben së ardhmes. Këta që po them, po vinin nga NATO-ja dhe ishin financuar nga Presidenti Truman. Ata erdhën për të na çliruar ne”, - deklaroi Berisha. Bëhet fjalë për qindra nacionalistë, të njohur si diversantë, të cilët ishin pjesë e një aksioni të organizuar nga amerikanët dhe britanikët për rrëzimin e regjimit komunist. Por aksioni i tyre ishte një dështim për shkak se ata u tradhtuan nga i mbiashtuquajturi si kryespiuni i Luftës së Ftoftë, Kim Filbi. Agjenti britanik u dha të gjithë informacionin sovjetikëve, të cilët informuan regjimin komunist në Shqipëri për çdo detaj.

Xhaferri: Opozita ndodhet në panik

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje në Kuvend se opozita shqiptare ndodhet në panik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai i bëri thirrje opozitës në Kuvend që të largojë panikun e zgjedhjeve dhe të festojë hyrjen e Shqipërisë në NATO. “Për vetëm dy ditë hiqni panikun e zgjedhjeve. Nuk është mirë që edhe këto dy ditë të dëshmoni që jeni në panik”, - tha ai. Sipas deputetit të PD-së, opozita po shfaq sjellje të cilat nuk janë të denja për një vend anëtar të NATO-s. “Nuk është mirë për ju, as për ne dhe as për vendin, që të rreshtoheni tek 5-përqindëshi anti-NATO. Ju nuk jeni tek 5 përqindëshi, ju jeni opozita kryesore në vend dhe nuk e meritoni të jeni aty”, - tha Xhaferri. Ai theksoi se anëtarësimi në NATO është vlerësim për reformat e thella të qeverisë gjatë katër viteve.

Kuvend, një minutë heshtje në nderim të 2 prillit

Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje një minutë heshtje në nderim të të vrarëve nga policia në ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Kryetarja e Kuvendit u kërkoi të gjithë deputetëve të ngrihen në këmbë në nderim të “Heronjve të Demokracisë”. 18 vjet më parë, gjatë një demonstrate antikomuniste në qendër të Shkodrës, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu mbetën të vrarë në përpjekjet për të sjellë pluralizmin në Shqipëri. Katër të rinjtë e vrarë janë shpallur “Heronj të Demokracisë”. Kjo datë ka hyrë si një ditë shumë e veçantë në kujtesën e qytetit të Shkodrës, që shënoi ndryshimin e sistemit dhe çdo vit, në kuadër të kësaj ngjarjeje të madhe, zhvillohen ceremoni në kujtim të katër dëshmorëve të demokracisë.

Roshi: “Përtej së majtës dhe së djathtës”, term diktaturash

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, deklaroi dje se opozita e majtë nuk është ndarë nga e kaluara komuniste. Sipas tij, edhe termi politik “përtej së majtës dhe së djathtës”, është një term diktatorial që përdor Edi Rama. “Vetëm në diktaturë s’ekzistonin termat i majtë dhe i djathtë, por veç komunist”, - tha Roshi. Sipas tij, Partia Socialiste vazhdon të ketë koncepte nga Partia e Punës. “Partia Socialiste (në opozitë) me qëndrimin që mban ndaj ish-të përndjekurve politikë, tregon se sjellja e saj vazhdon të ketë nuanca të koncepteve të Partisë së Punës”, - u shpreh Roshi në një deklaratë për mediat, ku përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Nga ana tjetër, ai tha se miratimi i ligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë është një hap para. “Ligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë ndihmon që shqiptarët të sillen si një komb i qytetëruar, tashmë i anëtarësuar në NATO. Ky ligj, realisht, rregullon raportet e shoqërisë së sotshme me të kaluarën, që do të thotë, me palët politike të larguara me dhunë nga skena politike shqiptare. Me këtë ligj hidhen piketat e bashkëpunimit për një komb të qytetëruar”, - tha ai.

Meta: NATO, mundësi për prosperitet

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu dje kënaqësinë e tij dhe të forcës politike që drejton për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ngjarje që Meta e vlerësoi si meritë e orientimit pro NATO-s të popullit shqiptar, si dhe vlerësoi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se Shqipëria në NATO nuk mjafton për të zgjidhur problemet që kanë shqiptarët, për të arritur standardet që kanë vendet më të zhvilluara të NATO-s. “Neve na duhet një Shqipëri me punë. Ndaj jemi këtu, ku Shqipëria punon, që e gjithë Shqipëria të punojë dhe këtë mesazh të rëndësishëm që vjen nga Uashingtoni dhe nga Brukseli, ta kthejmë në një mundësi për punë, për mirëqenie dhe prosperitet për të gjitha familjet shqiptare”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›