E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Benedikti XVI, vizitë në Shqipëri



Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Gurakuqi, zhvilloi një vizitë në Vatikan, ku mori pjesë në audiencën e zhvilluar nga Papa Benedikti XVI. Ai e ftoi Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri dhe Papa Benedikti XVI e mirëpriti ftesën, duke theksuar mundësinë e një vizite së shpejti në vendin tonë. Gurakuqi, pasi e falënderoi Atin e Shenjtë, tha se misioni dhe përpjekjet e Papës do të hyjnë në histori si mesazhe paqeje, larg dhunës dhe ndarjeve të çdo forme dhe si kontribut i vyer në forcimin e lidhjeve mes popujve dhe dialogut të qytetërimeve në mbarë botën. Nga ana e tij, Ati i Shenjtë nënvizoi shembullin e bashkëjetesës harmonike midis komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, si dhe vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe politikën e paqes dhe stabilitetit në rajon, të ndjekur nga vendi ynë. Gurakuqi u takua me zëvendëssekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, Monsinjor Pietro Parolin. Ai theksoi kontributin e madh që ka dhënë dhe jep Selia e Shenjtë për ringjalljen shpirtërore, morale dhe edukative të popullit shqiptar dhe popujve të tjerë në botë. Në lidhje me Kosovën, Gurakuqi tha se pavarësia e saj ka qenë zgjidhja që i përgjigjej aspiratës shekullore të popullit të Kosovës, se kjo zgjidhje ofron standardet më të larta për minoritetet, siguron stabilitet dhe paqe në Kosovë, rajon e më gjerë dhe e orienton përfundimisht Ballkanin drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›