NATO, Topi merr mesazhe urimi nga Sarkozi, Sejdiu, Mesiçi
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është uruar nga shumë personalitete politike botërore. Presidenti i vendit ka marrë disa mesazhe urimi nga homologët e tij. Presidenti i Shqipërisë dhe Presidenti i Kroacisë shkëmbyen mesazhe urimi për anëtarësimin e vendeve respektive në NATO. “Dëshiroj të ndaj me Ju, Zoti President, besimin e palëkundur, se ky hap i Kroacisë do të ndihmojë në procesin e reformave të brendshme që vendi Juaj ka ndërmarrë dhe do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit rajonal për një Evropë Juglindore në paqe dhe në siguri afatgjatë”, - shkruan Mesiçi. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, shkruan se uron popullin shqiptar. “Unë kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës, t’ju uroj Juve dhe nëpërmjet Jush gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO”, - shkruan Sejdiu. Edhe Presidenti francez, Nikola Sarkozi, ka uruar Topin për anëtarësimin. Në mesazh theksohet bindja që në prag të festimit të 60-vjetorit të NATO-s, ky do të jetë një moment bashkimi dhe rikonfirmimi i partneritetit euroatlantik. Gjithashtu, samiti i Strasburg-Kehlit do të jetë një mundësi e re për të forcuar e thelluar edhe më tej bashkëpunimin në kuadër të aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në botë.