Prishtina, hyrja në NATO, siguri për Kosovën
Prishtina ka përshëndetur hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe ka ritheksuar zotimet se edhe Kosova aspiron të jetë anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është përshëndetur nga instancat më të larta politike të Kosovës, duke besuar se Shqipëria në NATO nënkupton stabilitet për tërë rajonin. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka uruar Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, duke vlerësuar se anëtarësimi në NATO paraqet një akt madhor dhe të shumëpritur, që e shndërron përfundimisht rajonin në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit.
“Pa dyshim, edhe Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja juaj dhe ne presim që duke punuar së bashku, sikundër deri më tani, ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundur ditën e anëtarësimit të të gjithë rajonit në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike”, - ka thënë në këtë telegram Sejdiu, duke besuar se integrimi në NATO nënkupton liri për brezat që do të vijnë. Po ashtu, edhe qeveria e Kosovës vlerëson se siguria dhe stabiliteti i rajonit, por edhe i Kosovës, kanë fituar një dimension të ri. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj vlerësoi se përfituese nga anëtarësimi në NATO nuk është vetëm Shqipëria, por edhe Kosova.
Ish-nënsekretari i Shtetit, Grosman: Shqipëria, Kroacia e merituan anëtarësimin në NATO
Shqipëria dhe Kroacia u bënë vendet më të reja të NATO-s. Ish-nënsekretari amerikan i Shtetit, Mark Grosman, një nga mbështetësit kryesorë të zgjerimit të NATO-s, tha për “Zërin e Amerikës” se si Shqipëria edhe Kroacia e kanë fituar plotësisht vendin në Aleancë. Kolegu Erion Kruja bisedoi me ambasadorin Grosman për këtë çështje dhe të ardhmen e politikave amerikane në Ballkan.
Zoti ambasador, kjo është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe Kroacinë, dje ato u bënë anëtare të NATO-s, ndërsa nesër do të ulen si anëtare të plota me udhëheqësit e botës së lirë. Ju keni qenë një nga mbështetësit kryesorë të zgjerimit të NATO-s. Si ndiheni sot?
Jam shumë i gëzuar për ceremoninë e djeshme, ku Shqipëria dhe Kroacia dorëzuan instrumentet e anëtarësimit në NATO. Po kështu jam i gëzuar që nesër Kroacia dhe Shqipëria do të ulen në takimin e NATO-s si anëtare të plota. Gjatë gjithë karrierës sime kam besuar fuqimisht se zgjerimi i NATO-s përbën zgjerimin e lirisë, stabilitetit. Zgjerimi i NATO-s u jep këtyre dy popujve mundësinë të marrin vetë vendimet e tyre për jetën e tyre dhe të ardhmen. Dhe, duhet thënë që anëtarësimi nuk i është dhuruar Shqipërisë dhe Kroacisë, ato e kanë fituar atë duke luftuar në Afganistan dhe duke bërë ndryshime në shoqëritë e tyre dhe ka ende ndryshime për t’u bërë. Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për popujt e këtyre dy vendeve, por edhe për vetë Aleancën.
Ka nga ata që thonë se NATO-ja është dobësuar me zgjerimin e saj. ǒmendim keni për këtë?
Nuk besoj, zgjerimi i NATO-s e ka bërë organizatën edhe më të fortë. Zgjerimi i Aleancës tregon se vendet besojnë tek kjo organizatë dhe vlerat e saj, tek ajo që quhet mbrojtje kolektive. Duhet të shohim nga e ardhmja. NATO-ja ka ndryshuar shumë këto kohë. Udhëheqësit e NATO-s do të flasin nesër për sigurinë e burimeve energjitike, sigurinë kompjuterike dhe situatën në Afganistan. NATO-ja sot është një organizatë më e mirë, më e fortë se dhjetë vjet më parë. Ajo u është përshtatur ndryshimeve të shekullit të 21-të.
Nëse do të këshillonit Presidentin Obama, besoni se Presidenti duhet të diskutojë çështjen e zgjerimit të BE-së gjatë takimeve me udhëheqësit evropianë dhe të bëjë thirrje për futjen e shteteve të tjera në këtë bashkësi?
Besoj se po. Shpresoj që ai do t’u kërkojë udhëheqësve evropianë të mbyllin sytë për një moment dhe të mendojnë për sukseset e mëdha që janë bërë si për shembull zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe reformat e mëdha që janë bërë në këto shtete. Nuk ka pse ky proces të mos vazhdojë. Dhe them se edhe Turqia duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e BE-së. Bashkimi Evropian ka qenë i suksesshëm si pasojë e zgjerimit.