PS-ja sulmon KQZ-në, Xhafaj: Shpenzime të pajustifikuara
Partia Socialiste sulmon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në një moment kur ky i fundit i ka bërë thirrje kësaj partie të jetë korrekte me Kodin Zgjedhor. Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, deklaroi dje se Partia Socialiste ka qenë korrekte në respektimin e afateve, ndërsa nga ana tjetër, sulmoi KQZ-në, e cila ka përfaqësi të barabartë politikisht, se po shpërdoron fondet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ndonëse PS-ja ka dërguar emrat për Komisionet Zonale, ato nuk janë mbledhur në mënyrë që të konstituohen. Por Xhafaj nuk e preku këtë pikë, madje lëshoi akuza kundër KQZ-së. “Kodi nuk ngarkon partitë politike, subjektet zgjedhore me përgjegjësi të kësaj natyre, kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e KQZ-së, e cila ka për detyrë njoftimin dhe organizimin e veprimtarisë së KZAZ-ve. Për këtë i ka marrë fondet KQZ-ja dhe nuk i ka marrë fondet as për makinat, as për dietat, as për shpenzimet e pajustifikuara që ka bërë dhe që do të rrezikojë t’i bëjë nëse nuk do t’i përdorë në funksion të një procesi zgjedhor efektiv", - deklaroi Xhafaj.
Ndërkohë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka bërë me dije anëtarët e Partisë Socialiste se nuk kanë ardhur të bëjnë mbledhjet e para. “1 prilli ishte vendosur si data për ngritjen dhe konstituimin e 14 KZAZ-ve në qytetin e Tiranës dhe në datën 2 prill konstituimi i tyre në qytetet e tjera të vendit, por në 11 KZAZ në kryeqytet nuk ishin paraqitur ende komisionerët e majtë për të marrë në dorëzim materialet”, - është shprehur Ristani. Nga ana e tij, Xhafaj është përgjigjur se kjo është detyrë e KQZ-së, pasi sipas tij, Partia Socialiste ka mbyllur detyrimet e saj, kur ka dërguar emrat. “Është e detyrë e drejtpërdrejtë e KQZ-së për të bërë njoftimin dhe organizimin e KZAZ-ve dhe jo e subjekteve politike”, - deklaroi Xhafaj. Në rang republike janë gjithsej 66 KZAZ, të cilat administrojnë zotat përkatëse rajonale. Anëtarët propozohen nga Partitë Demokratike, Socialiste, Republikane dhe Socialdemokrate. PSD-ja ka plotësuar me përfaqësuesit e saj në rreth 50 KZAZ nga 66 të tilla që do të ngrihen në të gjithë vendin. Partia Demokratike ka qenë më korrekte, duke dorëzuar të gjithë emrat përkatës. Këto komisione kanë në përbërjen e tyre 7 anëtarë, 2 i ka PD-ja dhe po kaq PS-ja, ndërsa PR-ja dhe PSD-ja përfaqësohen secila me një anëtar. Në 33 KZAZ-të me numër tek, anëtarin e shtatë do ta ketë PS-ja dhe në 33 të tjerat me numër çift, PD-ja. Në total, të 66 komisionet do të kenë 462 anëtarë, prej të cilëve 165 do t’i kenë demokratët dhe po kaq socialistët. Socialdemokratët dhe republikanët do të kenë respektivisht nga 66 komisionerë gjithsej. Kodi Zgjedhor thotë se në rastin kur dy partitë e mëdha, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, atëherë ajo u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës.