Demshperblehet Domenech

Raymond Domenech vazhdon të të jetë një makth për kombëtaren dhe federatën franceze të futbollit, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga shkarkimi i tij si trajner.
Ish-tekniku i përfaqësueses së “Gjelave” do të përfitojë rreth 1 milionë euro si dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës. Domenech u largua nga pankina e Francës, pasi u cilësua si fajtori kryesor i dështimit të saj në Kupën e Botës, 2010.Atëherë skuadra e tij u eliminua që në fazën e grupeve, ndërsa më parë në ekip pati edhe një kryengritje kundër trajnerit. Lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares si Anelka, Evra apo Abidal nuk pranuan të stërviteshin duke krijuar skandalin më të madh të historisë së futbollit francez.
Pas këtyre episodeve Federata Franceze shkarkoi nga detyra Domenech, i cili nga ana e tij e çoi çështjen në gjykatë. Në fillim trajneri kërkonte 2.9 milionë euro si dëmshpërblim, ndërsa pas shumë tratativash federata ka pranuar t’i paguajë trajnerit 1 milionë euro, për shkak të prishjes së njëanshme të kontratës, por edhe për dëmtim të imazhit të tij.
Nertan Prifti