E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojne intelektualet bashkia premton teater te ri

Intelektualë, qytetarë, aktorë dhe punonjës të teatrit “Skampa” shprehin keqardhjen e tyre për humbjen e tempullit të kulturës qytetare elbasanase dhe të vlerave profesioniste të këtij teatri mbi 60-vjeçar. Fatmirësisht zjarrit kanë arritur t’i shpëtojnë arkiva, dokumentacioni, garderoba dhe disa mjedise të tjera të nivelit artistik.

“M’u duk vetja sikur po digjesha edhe unë bashkë me teatrin sepse kam punuar e jetuar 30 vjet në këtë skenë, në këtë sallë”-thotë Demir Hyskja, Artist i Popullit.

“Na ka ardhur shumë keq. Na ka ikur një pjesë e jetës. Nuk di se çfarë të them. Me keqardhje të madhe. Nuk e di se si do të shkojë kjo punë. A do të riparohet shpejt sepse ne kemi nevojë. Pa teatrin nuk rrimë dot”-thotë Namik Zaimi, muzikant në teatër.

“Humbja është e jashtëzakonshme. Është dashuria e parë. Ne kemi edhe shtëpinë edhe dashurinë e parë teatrin dhe ne e përjetojmë këtë moment që na ka tronditur jashtë mase, qoftë artistët, qoftë spektatorët elbasanas”-thotë Bashkim Paheshit, drejtor i teatrit “Skampa”.

Ndërsa vjen edhe premtimi i kryetarit të bashkisë për rindërtimin në një kohë shumë të shkurtër i teatrit Skampa.

“Ne do ta bëjmë shumë shpejt teatrin Skampa, ashtu siç ka qenë edhe më të bukur. Do ta bëjmë edhe për faktin se kemi mbështetjen e kompanisë së sigurimeve, edhe me atë buxhet ose kërkesa financiare që do të nevojiten nga bashkia”-tha Qazim Sejdini.

Një zjarr i rënë në hotelin pranë tetrit Skampa shkaktoi djegien e pjesës më të madhe të ambienteve të tij një ditë më parë.

Besim Dybeli                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›