E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblim të dënuarve pa gjyq

11/03/2009  Ish-të përndjekurit, “Ligjet” zgjerojnë rrethin e përfituesve dhe shtyn afatin për dokumentet

Majko: Në Evropë janë pushkatuar edhe prostitutat që kanë shkuar me gjermanët.

Opozita në Komisionin e Ligjeve ka votuar kundër ndryshimeve të projektligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për shkak të parashikimit në ligj të përfitimit të shpërblimit edhe të disa kategori personash që sipas deputetëve të PS-së, kanë qenë bashkëpunëtorë me pushtuesit. Sipas tyre, projekti dëmshpërblen persona që kanë vrarë bashkëkombësit e tyre për interesa të okupatorit. Ndërkohë që deputetët e mazhorancës të cilët mbrojtën variantin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë me nismë të deputetit të PD-së Astrit Bushati, kanë sqaruar se këta persona janë pushkatuar pa gjyq. “Ne jemi në favor të dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve dhe të pasardhësve të tyre, nipërve apo mbesave. Në projekt përfshihet edhe dëmshpërblimi i kolaboracionistëve. Në Evropë janë pushkatuar edhe prostitutat që kanë shkuar me gjermanët. Tani është krejtësisht e palogjikshme që në 2009-ën në një parlament të Evropës të diskutohet për dëmshpërblimin e kolaboracionistëve. Ju lutem mos na provokoni. Për sa i përket të tjerave, votën tonë e kemi me të dyja duart, por të dëmshpërblejmë kolaboracionistët, mos na e kërkoni”,- tha deputeti i PS-së Pandeli Majko. Ndërsa drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë Marsida Xhaferllari, sqaroi se në këto vendime nuk përcaktohet koha e kryerjes së veprës penale, veprimet konkrete që ai i ka kryer, por janë thjesht veprime të vendosura në kuadrin e dogmave dhe të propagandës për të etiketuar një person si “armik i popullit”. Me ndryshimet e miratuar nga Komisioni i Ligjeve, afati i paraqitjes së dokumentacionit në Ministrinë e Drejtësisë për të përfituar dëmshpërblimin, u shty deri në korrik të këtij viti. Kjo shtyrje, sipas Xhaferllarit nuk shtyn procesin e dëmshpërblimit. “Shtyrja e afatit të paraqitjes së dokumenteve me 6 muaj, është pranuar dhe në bazë të tij janë parashikuar të gjitha veprimet e tjera dhe janë ndryshuar dispozitat që lidhen me këtë afat. Nuk shtyhet dhënia e dëmshpërblimit, por shtyhet procesi administrativ, pra procesi i rakordimit të veprimeve mes institucioneve përgjegjëse”,- tha ajo. Po ashtu, projekti zgjeron rrethin e përfituesve, si dhe përfshin në ligj viktimat e ekzekutuara pa gjyq, të dënuarit në kampe internimi të rrethuar me tela me gjemba dhe të afërmit e klerit. Deputetët e opozitës dhe ai i PBDNJ-së, Spiro Peçi kërkuan një përgjigje të Këshillit të Ministrave dhe një faturë financiare për këtë projekt.

Batutat

Hoxha: Më vjen rëndë kur dëgjoj kolegë që përdorin termat e kinostudios “Shqipëria sot”. Të dënosh një njeri me jetë, pa asnjë fakt vetëm me tre rreshta, e të mos e quash të dënuar politik, dhe pastaj të mos i japësh as dëmshpërblimin, vetëm një djalë oficeri

mund ta bëjë këtë punë.

Majko: O Eris, ke shokë zyre se na erdhi një llaf i keq për një nip të shokut Enver.

Hoxha: Jam deputet i Kuvendit, o Pandi që nga 17 qershori.

Bumçi: Bashkëpunëtorët më të mëdhenj të nazizmit kanë qenë komunistët.

Rusmali: Ne në këtë komision nuk bëjmë histori, ne thjesht e lexojmë atë sipas këndvështrimit të vet.

Dajçi: Si ta mbroni, si të mos e mbroni këtë projekt, nuk do të merrni asnjë votë.

Majko: O rri o Pal në vendin tënd, mos na ngacmo tani.

Dervishi: O Pal, do marr me kujdes ky ligj se do merrni ndonjë njollë.

Drafti i miratuar

Në nenin 2 shtohet paragrafi:

Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1994 deri më 01.10.1991 përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në nenin 3 pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f”:

Me dënim penal të padrejtë, në kuptim të këtij ligji për efekt të dëmshpërblimit, nënkuptohet dënimi kapital ose çdo ditë heqje lirie, izolimi, internimi apo dëbimi, për vepra penale politike në institucionet penitenciare apo një institucion mjekësor, psikiatrik apo jopsikiatrik, për shkak të një:

f) akti administrativ apo dokumenti zyrtar që provon internimin në kampe me rrethin me tela me gjemba

Në nenin 4 në fund të shkronjës “d” shtohen:

I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

d) sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991.

Në nenin 5 këto shtesa dhe ndryshime:

Në shkronjën “c” në nenin 3 shtohen pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 14, si dhe neni 6 i ligjit nr. 372 “Mbi fajet koftra populli dhe shtetit”.

Në shkronjën “d” dispozitat ekzistuese të Kodit Penal të vitit 1952 ndryshohen si më poshtë: Neni 71 “Sabotim”; Neni 72 “Agjitacion dhe propaganda kundër pushtetit popullor”; Neni 73 “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve midis kombësive, racave ose feve”; Neni 74 “Propaganda e luftës”; Neni 75 “Pjesëmarrja në një organizatë kundër pushtetit popullor”; Neni 82 “Veprimtaria para çlirimit”; Neni 83 “Solidarësia ndërkombëtare”...

Neni 8 ndryshohet si më poshtë:

Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, pasardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave.

Familjarët në shkallë më të parë sipas kodit Civil përjashtojnë familjarët e tjerë.

Neni 19 ndryshon si më poshtë:

Në pikën 1, fjalët “brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji” zëvendësohen me fjalët “brenda 01.07.2009”.

Në pikën 2 fjalët “brenda aftit 1 vjeçar” dhe “kur ka kaluar mbi 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji” zëvendësohen respektivisht me fjalët “brenda afatit të përcaktuar në pikën të këtij neni” dhe “pas datës 01.07.2009”.

Në nenin 20 bëhen këto ndryshim:

Kërkesa për dëmshpërblim duhet të përmbajë:

c) vendimin e gjykatës, të formës së prerë/aktin e internimit aktin administrativ apo dokumentin zyrtar që provon internimin në kampe me rrethin me tela me gjemba”, apo aktakuzën për izolim, nëse ka.

Për ish të dënuarit që nuk jetojnë, apo familjarët e viktimave, kërkesa paraqitet nga familjari sipas rrethit të përcaktuar në këtë ligj. Në këto raste kërkuesi araqet dokumentacionin që provon lidhjen familjare me ish të dënuarin politikë, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji janë të gjallë.

Dispozita transitore

Kërkuesit që kanë paraqitur kërkesë për përftimin e dëmshpërblimit financiar në Ministrinë e Drejtësisë dhe janë njoftuar me “njoftim negativ” në përputhje me shkronjat “b” dhe “c” të nenit 24 të këtij ligji, kanë të drejtë të riparaqesin një kërkesë të re për të rikonfirmuar vullnetin e tyre, si dhe certifikatën e lindjes së lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kësaj kërkese të dytë, të cilat i bashkëngjiten dokumentacionit të paraqitur prej tyre.

Pas regjistrimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar. Ajo rivlerëson edhe njëherë kërkesat e paraqitura për dëmshpërblimin financiar për ish të dënuarit politikë të cilat preken nga ndryshimi i nenit 4 shkronja “d”.

Ministria e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për të gjitha kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar të paraqitura pas datës 19.12.2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›