Pronarët kundër ndryshimeve në ligjin e pronave: Janë antikushtetuese
Pronarët i quajnë antikushtetuese dhe të dëmshme për ta, ndryshimet e fundit të ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ndërkohë që është çështje ditësh miratimi i draftit të qeverisë në kuvend, kreu i shoqatës Pronësi me drejtësi, Agim Toro, gjatë një prononcimi për një media, tha se prona e tyre nuk duhet të bëhet pre e tekave të shtetit dhe bizneseve që i kanë shfrytëzuar deri tani.
"Pa diskutim që të gjithë subjektet e shpronësuara, të cilëve u është njohur e drejta e pronësisë, janë të interesuar që tu kthehet prona e tyre. Dhe vullneti për ta shitur apo mos shitur këtë pronë, i takon pronarit, nuk i takon shtetit për të plotësuar tekat dhe interesat e të tretëve. Ky është një qëndrim as më shumë as më pak antipronar që bëhet për interesa të tjera, por jo për interesa të zgjidhjes së problemit të pronave", tha Toro. Projektligji që kaloi dy ditë më parë në komisionin e ligjeve, i jep përparësi në blerjen e truallit biznesit që shfrytëzon atë dhe në rast refuzimi toka i kalon pronarit. Ndonëse të ardhurat nga shitjet do ti kalojnë fondit për kompensim, pronarët i quajnë atë të pakonsiderueshëm."Absolutisht është i pamjaftueshëm. Duke pasur parasysh që në nëntor të vitit 2008 qeveria bëri dhe një lëvizje duke ulur çmimin e pronave të pronarëve, sipas vullnetit të saj, duke bërë një shkelje shumë të rëndë të ligjit, sepse nuk u zbatua metodika e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë", përfundoi Toro.