E Diel, 1 Nëntor 2026

Te denuarit politik PD-ja të na llogarisë edhe ne në zgjedhje

11/03/2009  Ish-të përndjekurit kërkojnë përfaqësim politik në legjislaturën e ardhshme

Kërkohet nisja e dhënies së dëmshpërblimit dhe ligji i lustracionit

Ish-të përndjekurit politikë kërkojnë përfaqësimin në legjislaturën e ardhshme. Konventa e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë ka dalë ditën e djeshme me vendimin për t’i kërkuar Partisë Demokratike që të bëjë pjesë të listës së kandidatëve të saj përfaqësues të kësaj shtrese, çka do të thotë se ish-të përndjekurit shohin te demokratët politikanët që janë shumë pranë bindjeve të tyre politike. “Konventa vendosi në unanimitet të plotë që t’i bëjë me dije Partisë Demokratike dhe qeverisë se në zgjedhjet e qershorit 2009, në partneritet të plotë me shoqatën mbarëkombëtare të integrimit të të burgosurve e të përndjekurve politikë, si i vetmi institucion politik, ligjor e moral i kësaj shtrese, të ketë kandidaturat e saj për deputet në parlamentin e ardhshëm”, - thuhet në deklaratën e kësaj shoqate. Ish-të përndjekurit, duke parashtruar këtë kërkesë, lëshojnë ofertën e tyre në funksion të fitores së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Ata nënvizojnë se me përfshirjen e emrave që do të vijnë nga kjo shtresë spektri i djathtë i politikës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Partia Demokratike do të mund të përfitojë një numër të konsiderueshëm votash. “Kandidaturat tona përfaqësojnë 350 mijë votues të kësaj popullsie”, - thuhet në deklaratë. Kërkesa drejtuar PD-së vjen në një kohë kur ka nisur të krijohet koalicioni i djathtë. PD-ja në rrugë jozyrtare ka nisur kontaktet me aleatët për krijimin e aleancës politike, me të cilën do të dalë para elektoratit në fushatën elektorale. Por ish-të përndjekurit nuk ndalen vetëm me kërkesën për përfaqësim politik në parlamentin e ardhshëm, ata kërkojnë nga deputetët aktualë përfundimin e dy proceseve, të cilësuara prej tyre si tepër të rëndësishme: dhënien e parave të dëmshpërblimit për vuajtjet gjatë viteve të burgut politik dhe miratimi i përfundimtar i ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në administratën shtetërore. “I kërkojmë Kryeministrit që në zbatim të Kushtetutës të Shqipërisë dhe statusit të të përndjekurve politikë të fillojë menjëherë dëmshpërblimi i pafajësisë sonë, të fillojë menjëherë rikthimi në qeveri i të përndjekurve politikë, të cilët gjatë viteve 1997–1998 janë pushuar nga puna vetëm për motive politike. Ne i kërkojmë mazhorancës se nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme pa aprovuar ligjin e lustracionit, i cili t’i shërbejë dekomunizmit të shoqërisë, t’i shërbejë dënimit të komunizmit dhe jo politikës, një ligj në përputhje me rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit”, - thuhet të deklaratën e miratuar nga konventa e Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë. Ish-të përndjekurit prej kohësh kanë kërkuar miratimin nga Parlamenti të një ligji që do të mundësonte hapjen e dosjeve. Ata vlerësuan si pozitiv ligjin e miratuar së fundi në Parlament vetëm me votat e mazhorancës aktuale, megjithëse vlerësuan se varianti në fjalë ishte shumë i butë.

Aleancë me PD-në

Shoqata e ish-të persekutuarve politikë e shikon veten përkrah Partisë Demokratike në përballjen e ardhshme zgjedhore. “Konventa vendosi në unanimitet të plotë që t’i bëjë me dije PD-së dhe qeverisë se në zgjedhjet e qershorit 2009, në partneritet të plotë me Shoqatën Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë, të ketë kandidaturat e saj për deputet në parlamentin e ardhshëm. Kandidaturat tona përfaqësojnë 350 mijë votues të kësaj popullsie”, - thuhet në deklaratë.

Dëmshpërblimi dhe ligji

Kërkesa më e rëndësishme e ish-të përndjekurve është ajo e dëmshpërblimit financiar për vitet e burgut gjatë diktaturës komuniste. Po ashtu ata kërkojnë zbatimin e ligjit të lustracionit. “I kërkojmë mazhorancës se nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme pa aprovuar ligjin e lustracionit, i cili t’i shërbejë dekomunizmit të shoqërisë, dënimit të komunizmit dhe jo politikës, një ligj në përputhje me rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Europës”, - thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›