E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimet nga përmbytja, zbardhet tabela e çmimeve

Autori i Lajmit: Redaksia
Zbardhet lista e çmimeve me të cilat do të bëhet dëmshpërblimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në Shkodër dhe në Lezhë. Qeveria ka miratuar tabelën e plotë në të cilën përcaktohen në mënyrë të detajuar paratë që do tiu jepen të prekurve nga përmbytjet të cilëve u janë dëmtuar kafshët shtëpiake, prodhimet bujqësore apo edhe orenditë. Dëmet në banesa, objektet e biznesit, ndërtesat me karakter bujqësor, etj., do të llogariten mbi bazën e çmimeve të miratuara nga Enti i Banesave për qarqet Shkodër e Lezhë për vitin 2008. Ndërsa për vlerësimin e humbjeve në makineri dhe pajisje do të përdoret dokumentacioni i depozituar pranë organeve të tatimeve dhe doganave. Për sa i përket pajisjeve shtëpiake dëmshpërblimi do të bëhet mbi bazën e çmimeve të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndryshe do të veprohet me orenditë dhe mobiliet dëmshpërblimi i të cilave do të varet nga numri i personave në familje. Për familjet të cilat kanë pësuar dëme në mobilie dhe orendi të tjera, qeveria ka vendosur tiu ofrojë nga 50 mijë lekë për frymë, me kushtin që shuma e përgjithshme të mos shkojë më shumë se 200 mijë lekë. Për sa i përket dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, të mbjella dhe bazë ushqimore, dëmshpërblimi do të bëhet mbi bazën e çmimeve të tregut të marra nga Ministria e Bujqësisë. Kështu, për çdo lopë vendi të ngordhur fermerët do të marrin 90 mijë lekë, ndërsa lopët e racës do të dëmshpërblehen me 140 mijë lekë. Një dele është vlerësuar 13 mijë lekë ndërsa viçi 40 mijë lekë. Në listën e dëmshpërblimit bëjnë pjesë edhe pemët frutore. Për çdo fidan të mbjellë i cili nuk ka hyrë ende në prodhim fermeri do të përfitojë 4.500 lekë, ndërsa për ato që kanë hyrë ne prodhim 6.000 lekë. Ndryshe është vepruar me ullirin. Pemët e reja të ullirit që nuk kanë hyrë në prodhim do të dëmshpërblehen me 7.800 lekë ndërsa ato që janë në prodhim të plotë 12.700 lekë.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›