Berisha: “Nuk dal mbi vullnetin e Gjykatës”
Autori i Lajmit: RedaksiaTryeza që pritej të realizonte dialogun mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste duket se nuk ka dhënë frytet e duhura. Palët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim, si edhe gjatë deklaratave të mëparshme.
Asnjëra nga palët nuk ka toleruar në kërkesat e saj. Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij për të mos prekur vendimet e gjykatës, ndërsa thekson se Ramës i ka kërkur ti listojë problemet që ekzistojnë mes opozitës e maxhorancës. Kryeministri foli menjëherë pas daljes nga tryeza me Presidentin Bamir Topi.
“Dua të falënderoj Presidentin e Republikës për ftesën dhe të shpreh bindjen time se tryeza e thirrur nga ai ishte një përpjekje pozitive dhe serioze. Aty ne patëm një shkëmbim të hapur të mendimeve dhe pikëpamjeve. Ne ramë dakord që Presidenti i Republikës të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështje bazuar në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në raportin përfundimtar të OSBE / ODIHR –it”, tha Berisha. Ai shtoi më tej se, sikundër ne jemi dakord për të plotësuar të gjitha kërkesat e Rezolutës Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportit përfundimtar të OSBE / ODIHR –it mbi zgjedhjet e 28 Qershorit, të cilat janë vlerësuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë si zgjedhjet që plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt. Berisha tha se, Po në këtë kontekst, në kuadër të rezolutës së KiE dhe raportit përfundimtar të OSBE / ODIHR –it, koalicioni qeveritar i ofron Zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do ti votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngrejmë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij. “Gjithashtu, unë garantova Presidentin e Republikës dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do ti trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive. Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij”, tha Berisha, duke shtuar se, ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit. Por, unë nuk i kam bërë asnjëherë ato probleme ndërpartiake, sepse ato kanë qenë probleme midis Partisë Demokratike dhe pushtetit gjyqësor, vendimet e të cilit kemi qenë dhe jemi të detyruar ti pranojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste. Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit, sepse bazuar në nenin 116 të kodit elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi i votave mund te behet vetëm në raste kur ka kundërshtime gjatë procesit të numërimi të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa kundërshtime gjatë numërimit të tyre. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një ( për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste dhe u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditën). Dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010