Ulja e temperaturave Bora izolon fshatrat në komunat e thella të Tropojës e Kukësit
Autori i Lajmit: RedaksiaReshjet e borës prej ditësh kanë mbuluar pjesën veriore të vendit tonë duke mbajtur të bllokuara fshatra të komunave të thella malore. Në Tropojë reshjet e borës, që vazhdojnë të bien prej tre ditësh pa pushuar nuk kanë krijuar probleme të reja.
Reshjet e bores po mbajnë të bllokuara shumë fshatra të komunave të Lekbibajt, Margegajt, Tropojës së vjetër e fshatra të veçantë të komunave të tjera. Ndërkohë, trashësia e borës në qytetin e Bajram-Currit arrin në mbi 30 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi 80 centimetra. "Pozitive është se gjatë dy ditëve të fundit furnizimi me energji elektrike ka qenë normal në të gjitha zonat e rrethit", thotë Smajlaj.
Reshjet
Pavarësisht reshjeve të borës, të gjitha akset rrugore nacionale të këtij rrethi janë të kalueshme, ndonëse është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve në akset rrugore Fierzë-Qafë Mali dhe Bajram Curri -Krumë. Situatë më e vështirë është në lidhjen e fshatrave me qendrat e komunave, ku edhe interesi për rihapjen e tyre është minimal, gjë që ka bërë që shumë fshatra të këtij rrethi të jenë të izoluar prej ditësh. Ndërsa si rrjedhojë e punës së firmave private, të gjitha akset rrugore që lidhin qendrat e komunave me qytetin e Bajram Currit janë të kalueshme. Por situata me borën po bëhet serioze ndërkaq në Kukës.
Në punë borëpastrueset
Reshje të dendura bore kanë përfshirë që nga mbrëmja e së premtes të gjitha zonat në lartësinë e mbi 500 metrave mbi nivelin e detit në rrethin e Kukësit. Reshjet e borës kanë përkeqësuar situatën në aksin kryesor rrugor Morin- Kukës-Qafë Shllak, që gjithsesi është i kalueshëm, por në disa segmente të tij, ku trashësia e borës arrin afro 30 centimetra, është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve. Ndërkohë, në këtë segment po punojnë për normalizimin e situatës edhe 3 borëpastruese. Sipas tij të njëjtave burime të kalueshme me zinxhirë janë edhe akset rrugore Kukës- Shishtavec, ku po punon një makinë borëpastruese dhe Kukës- Bushtricë, ndërsa lëvizja e mjeteve në aksin rrugor Kukës -Krumë është thuajse normale. Reshjet e borës të orëve të fundit kanë përfshirë gjithë fshatrat rurale, ku edhe trashësia arrin në mbi 30 centimetra, ndërsa situata është vështirësuar edhe për shkak se bora ka zënë borën. Kjo ka bërë që të vazhdojnë të jenë të bllokuara akset rrugore që lidhin fshatrat e komunave të Arrnit, Zapodit, Grykë Çajës e Kalisit me qytetin e Kukësit dhe ku trashësia e borës arrin nga 50-70 centimetra.
Borë në Tiranë,
e para pas 3 vitesh
Fjollat e para të borës kanë rënë për gati një orë dje paradite në Tiranë, duke sjellë një atmosferë dimërore ndryshe për kryeqytetin. Reshjet e borës më të dendura kanë qenë në periferi të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, në zonën e Shkozës. E shoqëruar nga reshjet e shiut, bora ka zbardhur për gati një orë rrugët dhe automjetet dhe më pas është shkrirë. Temperaturat në qytet dje shënuan 5 gradë celsius më e ulëta, kurse 9 më e larta. Bora e rënë dje në Tiranë është e para pas dhjetorit të vitit 2007.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010