Durrës, 11 gjyqtarë shtesë brenda marsit
Autori i Lajmit: RedaksiaRritja e volumit të çështjeve që gjykohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, ka bërë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të miratojë një personel shtesë prej 11 gjyqtarësh.
11 gjyqtarët e rinj do të fillojnë punë brenda muajit të ardhshëm në Gjykatën e Durrësit, pasi siç u shpreh edhe kryetari i kësaj gjykate, Ervin Metalla, nga viti 2003 dhe në vazhdim ka një rritje prej 10 përqindësh më shumë të numrit të çështjeve nga viti në vit. Kjo gjykatë ka sot vetëm 13 gjyqtarë në gjykojnë çështje civile dhe penale, por janë katër vende vakante që janë lënë bosh nga Majlinda Andrea, Mimoza Moçi, Faslli Çeka dhe Drita Prençi. Dy të fundit punojnë akoma në këtë gjykatë, megjithëse kanë mbushur moshën e pensionit.
Qëndrimi i Spahiut
“Ardhja e 11 gjyqtarëve të rinj do të bëhet shumë shpejt e mundur”, është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në analizën e punës për vitin 2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndonëse problemi i mungesës së stafit të plotë të gjykatës pritet të zgjidhet shumë shpejt, gjykata tashmë do të përballet me një tjetër problem: atë të mungesës së ambienteve. Në Gjykatën e Durrësit ka vetëm 4 salla gjykimi, ndërkohë që shpesh gjyqtarët janë të detyruar që shumë çështje ti zhvillojnë në zyrat e tyre. Godina trekatëshe e gjykatës nuk mjafton që aty të hapen salla të reja gjykimi, problem ky që është ngritur nga kryetari i kësaj gjykate, Ervin Metalla.
Viti 2009
Në raportin e punës që është lexuar nga kryetari Metalla, është theksuar se gjatë vitit të kaluar kanë qenë për gjykim 8486 çështje, nga të cilat 6307 kanë qenë çështje themeli penale e civile, 845 kërkesa administrative penale e civile, 576 urdhra ekzekutimi dhe 758 kërkesa gjatë fazës së hetimeve paraprake. 1048 çështje të tjera janë mbartur nga viti 2008, ndërsa në lidhje me seancat për vlerësimin e masave të sigurisë, janë kërkuar 336 raste për "arrest me burg", ndërkohë që janë vendosur vetëm 272 raste të tilla. Në lidhje me dhënien e vendimeve, 76 për qind e tyre nuk janë prishur nga shkalla më e lartë, 17 për qind kanë përfunduar brenda një seance, 29 për qind në më shumë se 10 seanca dhe 3 për qind e tyre kanë zgjatur më shumë se 1 vit. Në lidhje me dënimet që ka dhënë Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, bëhet e ditur se janë 47 raste që kanë marrë dënim me burg, gjobë dhe kusht, 117 raste burg me kusht, 110 raste burg dhe gjobë, 325 rase me gjobë, ndërsa në 18 raste është shpallur pafajësia.
Shifrat për gjykatën e Durrësit
Viti 2009, ishin për gjykim 8486 çështje
Çështje penale e civile 6307
Kërkesa administrative penale e civile u shënuan 845 të tilla
Gjatë fazës së hetimeve paraprake, 758 kërkesa
Të mbartura nga viti 2008, 1048 çështje
Masat e sigurisë, 336 kërkesa për "arrest me burg"
U morën 272 masa arrest me burg
Janë prishur nga shkalla më e lartë 76 % e vendimeve
Kanë përfunduar në seancë, 17 për qind e vendimeve
Vendim me burg për 47 raste
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010