Fakulteti Filologjik Bllokohen doktoraturat, Rrokaj: “Tejzgjatje procedurash”
Autori i Lajmit: Entela Duraj
Mosmiratimi i doktoraturës për lëndën e historisë po mban ende peng fillimin e shkollës doktorale, e cila do të startonte për herë të parë në fakultetin e Histori- Filologjisë. Dekani Shezai Rrokaj tha dje në media se Këshilli i Administrimit pranë Ministrisë së Arsimit po tejzgjat procedurat dhe këtë Rrokaj e cilëson si një papërgjegjshmëri nga ana e këtij Këshilli. “Jemi në pritje të historisë e cila po bëhet një gangrenë. Kemi vonesa të mëdha. I takon Këshillit të Administrimit, ka një mungesë përgjegjësie prej tyre dhe një hallakatje të panevojshme, sepse këto kurrikula janë miratuar njësoj të gjitha, kanë kaluar njëlloj”, - tha Rrokaj. Nëse do të miratohen dhe kurrikulat për doktoraturën e historisë, atëherë sipas Rrokajt, shkolla doktorale do të nisë në mes të muajit mars. “Ne shpresojmë që semestrin e dytë ta fillojmë shkollën doktorale që do të thotë se parashikoj 15 marsin. Kemi përcaktuar edhe kriteret për përzgjedhjen e tyre. Kemi vënë notën 8 si kualifikuese. I kushtojmë rëndësi masterit që ata kanë mbrojtur. Kemi kaluar në përparësi, për dobi publike, të gjithë profesoratin e ri që jep mësim në institucionet publike, pastaj ata që japin në institucionet private”, - tha Rrokaj. Aktualisht, shkolla doktorale në fakultetin e Histori- Filologjisë, do të përmbajë doktoratura për mësuesi, gjuhësi, letërsi dhe gjeografi.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010