E Shtunë, 31 Tetor 2026

I grabit makinën, 15 thika shoferit

DHUNA/ Policia ka vënë në pranga Andi Dalipajn, i cili qëlloi me thikë një 21-vjeçar për t'i grabitur makinën

Policia bën të ditur se drejtuesi i mjetit, pasi është qëlluar me thikë, është hedhur në mes të rrugës


DURRËS - Kanë qenë orët e mesditës së të enjtes kur policia e Durrësit ka vendosur në pranga 20-vjeçarin Andi Dalipaj i dyshuar për një grabitje me dhunë, në të cilën ka masakruar me thikë një të ri 21-vjeçar.


Përpjekja për t'i rrëmbyer mjetin tip "Benz" ka qenë shkak i 15 goditjeve me thikë në bark e në zemër. Pasi është gjetur mjeti dhe thika e përdorur për grabitjen e mjetit, policia ka gjetur edhe autorin e dyshuar, të cilin e kanë tradhtuar mjeti, por edhe gjurmët e gishtërinjve të mbetura në makinë, si dhe në armën e ftohtë të përdorur në përleshje.


Ngjarja


Kanë qenë orët e muzgut të së martës kur një 21-vjeçar i ka marrë makinën të atit. Ndërsa po udhëtonte me të përpara i ka dalë një i ri, thuajse moshatar dhe i është lutur ta çonte deri në lagjen 14 të Shkozetit, ku dhe i ka thënë se banon.


Pasi kanë udhëtuar rreth 15 minuta së bashku, ndërsa i janë afruar vendit të njohur si mbikalimi i Urës së Dajlanit, pasagjeri ka nxjerrë thikën që e mbante të fshehur në brez dhe i ka kërkuar drejtuesit që të linte makinën, në të kundërt do ta vriste. Shoferi, i ndodhur edhe para presionit se makina ishte e të atit, nuk ka pranuar që ta lërë mjetin dhe e ka kundërshtuar.


Por ky kundërshtim ka bërë që pasagjeri ta qëllonte pa mëshirë disa herë radhazi me thikën e vet në kafazin e kraharorit, në bark, duke i shkaktuar plagë dhe në zemër. Pasi e ka gjakosur dhe ai ka humbur ndjenjat, ka hapur derën e makinës dhe e ka hedhur në rrugë 21-vjeçarin në mes të një rrebeshi shiu që binte në atë kohë.


Më pas grabitësi ka marrë makinën duke e cilësuar tashmë pronë të tijën dhe është larguar me shpejtësi. Mjete të rastit kanë gjetur pa ndjenja viktimën dhe e kanë dërguar në spitalin e Durrësit ku ndodhet akoma nën shërbimin e specializuar mjekësor. Mjekët, kur e kanë parë viktimën, kanë shprehur keqardhjen dhe kanë thënë se ky rast ka qenë i rrallë për nga goditjet e shumta që ka marrë viktima.


Policia


Policia ka njoftuar se shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë në qytetin e Durrësit. Së bashku me të dyshuarin është bërë i mundur edhe bllokimi i mjeteve të përfshira në krim. Në cilësinë e provës materiale shërbimet e policisë kanë mundur të bllokojnë automjetin e vjedhur, si dhe armën e përdorur në krim.


Policia konfirmon se shtetasi në fjale quhet Andi Dalipaj, 20 vjeç, banues në lagjen nr.18 Durrës. Ky shtetas dyshohet se më datë 16.02.2010, rreth orës 18:30, ka plagosur duke goditur shumë herë me thikë në pjesen e barkut shtetasin Z.P. 21 vjeç, banues në lagjen 13 Durrës.


Ngjarja ka ndodhur në lagjen 14 të qytetit në kohën kur udhëtonin me automjetin tip "Benz" me targa DR 5732 E, pronë e babait të të dëmtuarit. Policia thekson se "15 minuta pas nisjes, ai ka goditur disa herë me thikë të dëmtuarin, të cilin më pas e ka hedhur në rrugë dhe është larguar me automjetin e tij".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›