Dëmshpërblimi për përmbytjet, qeveria bën gati 512 milionë lekë
Qeveria akordoi dje 512 milionë lekë për dëmshpërblimin e objekteve që shumë familjarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës iu dëmtuan si pasojë e përmbytjeve të ndodhura në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës. Ashtu siç kishte njoftuar, edhe më parë Kryeministri deklaroi se procesi i dëmshpërblimit do të vijonte edhe për sa u përket humbjeve të tjera që banorët kishin pasur, siç janë edhe kafshët e mbytura si rezultat i përmbytjeve të muajit janar. Por sipas Berishës, paralelisht me lëvrimin e fondeve për dëmshpërblimin e objekteve, qeveria po mendon edhe për investime në terren, të cilat do të bëhen në kuadër të parandalimit të situatave të tilla. “Ne jemi të gatshëm për të lëvruar gjatë këtyre ditëve, fonde të tjera të rëndësishme, për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të zonës, në rrugë dhe argjinatura”, informoi Kryeministri. Sipas tij, është e nevojshme që argjinaturat e dëmtuara, të rikonstruktohen nga fillimi dhe mbi to të mos ketë arnime, të cilat mund të sjellin probleme më vonë. “Argjinaturat janë të kushtueshme. Të marra së bashku, shkojnë në dhjetëra kilometra, por ndërhyrjet duhet të fillojnë sa më shpejt dhe argjinaturat duhet të rindërtohen tërësisht, si ajo e Saçit, Dajçit, Kirit etj”, premtoi Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Kryeministri deklaroi gjithashtu se projekti i by pass-it në Shkodër, do të mbrohet me argjinaturë. “Sapo të përfundojë projekti i by pass-it, i cili ishte thuajse i përfunduar, por detyrimi për ta shndërruar edhe në një argjinaturë për të mbrojtur lagjen “Livadhe” dhe në tërësi qytetin nga liqeni, bën që ai të rishqyrtohet, duhet të fillojë sa më parë nga zbatimi”, kërkoi Berisha, nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Po kështu, Berisha theksoi se qeveria për të përballuar dëmin e përmbytjeve do të marrë ndihmë edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Sipas Berishës, aktualisht eksporti i energjisë shkon në 14 milionë kilovat/orë, edhe se ky është një zhvillim shumë pozitiv. “Dje, në 24 orët që kaluan, kaskada ka prodhuar 29.2 milionë kilovat/orë energji, një prodhim ky i jashtëzakonshëm”, deklaroi Berisha, duke nënkuptuar se tashmë KESH kishte të ardhurat e duhura për të përballuar pjesën që i takonte në dëmshpërblimin e banorëve të Shkodrës dhe të Lezhës.
#