E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Nuk bëjmë pazar, hapje kutish ose zgjedhje

Sekretari për çështjet ligjore në PS: Mazhoranca përdori dhunë kartonësh

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, thotë se mazhoranca ka kohë për reflektim deri në seancën e së enjtes në lidhje me hetimin e zgjedhjeve. Në një intervistë për “Shqip”, ai thotë se nëse mungon reflektimi nuk do të shtrohet më pyetja se çfarë ndodhi me zgjedhjet e qershorit, por se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet e pritshme. “Nëse nuk gjendet kompromisi, atëherë do t’u drejtohemi atyre për të cilët është ngritur kjo kauzë”, thotë ai.

Zoti Xhafaj, përse u larguat nga Komisioni i Ligjeve gjatë shqyrtimit të projektit tuaj nen për nen?

Të hënën, në mbyllje të debatit Komisioni i Ligjeve votoi në parim projektin e paraqitur nga grupi ynë parlamentar. Mazhoranca votoi “pro”. Shpresuam në një reflektim serioz nga ana e mazhorancës, por shpejt kuptuam se ishte thjesht e vetëm një manovër procedurale dhe hipokrizia politike e radhës. Amendamentet e paraqitura bënin disa retushime formale në tre nene të projektit tonë dhe rrëzonin tërësisht tre nenet e tjerë. Këtu përfshihej edhe neni 4 i projektit tonë (nen i cili amendon nenin 17 të ligjit ekzistues), nen i cili kërkon hapjen e kutive zgjedhore sipas vendimmarrjes së vet komisionit hetimor. Ky është neni që përbën thelbin e iniciativës sonë ligjore. Ne ju kërkuam kolegëve tanë të shpreheshin për këtë fakt pa pasur nevojë të bënin hipokrizinë politike të radhës përmes akrobacive procedurale duke u shprehur vullnetin tonë për të gjetur një zgjidhje konsensuale rreth këtij amendamenti. Dalja jonë nga salla ishte një veprim politik e publik për të rritur peshën e ndikimit për reflektim te mazhoranca. Fatkeqësisht, reagimi i tyre ishte negativ i fshehur pas pretendimeve procedurale formale sikur të mos bëhej fjalë për një projektligj për zgjidhjen e një krize, por një projektligji të zakonshëm. Natyrisht, ne i mirëkuptojmë kolegët tanë demokratë. Kemi përvoja të mëparshme me ta. Ata s’janë të lirë të vendosin për gjëra shumë më të thjeshta dhe jo më për vendimmarrje të kësaj natyre. Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar. Forca e dhunës së kartonëve fitoi mbi forcën e arsyes së shëndoshë politike.

çfarë prisni pas kësaj si hapin tjetër?

Ne shpresojmë që zoti Berisha të reflektojë seriozisht dhe të kuptojë se është duke e futur mazhorancën e tij politike në një rrugë pa krye, çka jo thjesht do të zgjasë krizën politike në vend, por do ta rëndojë më shumë atë. Ne jemi të gatshëm të gjejmë pikëtakimet midis nesh për një zgjidhje konsensuale. Jemi të gatshëm për të gjetur konsensus në interes të demokracisë, të fateve të vendit, por s’jemi aspak të gatshëm të bëjmë pazare me të nesërmen e zgjedhjeve dhe votën e shqiptarëve. Ndaj i kemi kërkuar mazhorancës të reflektojë seriozisht përpara votimit të së seancës së të enjtes. Rrëzimi i këtij projekti do të ishte një hap mbrapa me pasoja. Nëse mazhoranca nuk reflekton në seancën e së enjtes çështja nuk do të shtrohet më se çfarë ndodhi me zgjedhjet e qershorit, por se çfarë do të ndodh me zgjedhjet e pritshme. Pas kësaj do të duhet të themi me zë shumë më të lartë, të reagojmë shumë më fuqimisht se: zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik, liria e votës mbetet e dhunuar, demokracia seriozisht e kërcënuar. Nga mungesa e hetimit parlamentar do të ndihen mirë vetëm ata autorët e manipulimit dhe korrupsionit elektoral, do të ndihen mirë të gjithë ata që vjedhjen e votës, presionin dhe manipulimin elektoral e kanë shndërruar në certifikatë besnikërie partiake, leje biznesi për legalizimin e interesave të paligjshme. Të gjithë këta, do të ndihen të kënaqur nga ky vendim, sepse do të përfitojnë imunitetin e mbrojtjes politike, ashtu siç po kërkon të mbrohet nga ky imunitet edhe ai dhunuesi i komisionerit socialist të Ruzhdies. Ne s’mund ta lëmë të vërtetën e zgjedhjeve të djeshme dhe fatin e zgjedhjeve të nesërme të mbyllur në kutitë e korrupsionit elektoral. Ne s’mund ta lëmë fatin e komisionerëve të ndershëm në dhunën verbale e fizike të “të fortëve”, të kujtdo pale qofshin ata, nuk mund ta lëmë fatin e votave të shqiptarëve në duart e matrapazëve elektoralë të veshur me imunitetin e mbrojtjes politike elektorale. është koha për ta rrëzuar përfundimisht këtë mur imuniteti korruptiv si çdo lloj tjetër imuniteti politik korruptiv. Ne jemi të vendosur të luftojmë për një kauzë të tillë deri në fund përmes rrugëve dhe mjeteve demokratike.

Në fakt, mazhoranca zoti Xhafaj ka hedhur poshtë propozimet tuaja duke e konsideruar jashtë kompetencave të Kuvendit...

Kuvendi me ngritjen e këtij komisioni dhe zhvillimin e veprimtarisë së tij sipas kërkesës së opozitës, është tërësisht brenda hapësirës së vet kontrolluese. Po kërkohet të verifikohet zbatimi i ligjit të miratuar prej tij, të hetohet për zbatimin e ligjit nga disa organe administrative të prodhuara nga vendimmarrja e këtij Kuvendi dhe për të cilën ka detyrimin kushtetues e ligjor të kontrollit dhe veprimit, si dhe të analizojë ecurinë e një procesi si kusht për të nxjerrë problematikat e nevojat për përmirësimin e ligjit ekzistues. Më qartë se kaq nuk mund të thuhet dhe nuk mund të bëhet. Gjithçka është në frymën e Kushtetutës e të ligjit. Arsyeja e hartimit të projektamendamenteve ligjore nuk lidhet me konstatimin nga ana jonë të një ometimi legjislativ absolut, por me një saktësim të formulimit të dispozitave ligjore ekzistuese. E veçanta e ndryshimit në nenin 17 qëndron te pika 3 (shtesë) në të cilën parashikohet procedura e hapjes së kutive zgjedhore, nëse kërkohet nga shumica e komisionit. Ky paragraf është thelbi i projektligjit tonë. Lidhur me këtë amendament ligjor duhet të qartësojmë se projektligji nuk është një rregullim krejt i ri, por vetëm detajon ligjin për të shmangur çdo paqartësi në zbatimin e tij për sa u përket mjeteve dhe provave të hetimit. Për të parandaluar deformime të ligjit të ngjashme me ato të lidhura me aplikimin e nenit 138 të KZ (nga KQZ) ne iniciuam një iniciativë ligjore për amendimin e ligjit ekzistues për komisionet hetimore si ligji bazë që rregullon veprimtarinë dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Kjo si domosdoshmëri për t’i hapur rrugë projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe më tej veprimtarisë efektive të këtij komisioni, për të mos e shndërruar atë nga instrument në zgjidhjen e krizës në një krizë të re parlamentare. Qëllimi ynë politik është i qartë. Ne e kemi propozuar ndryshimin e ligjit ekzistues, sepse duam që kjo mundësi për të verifikuar/hetuar aspekte të procesit zgjedhor, të kthehet në një praktikë normale të Parlamentit pas çdo palë zgjedhjesh, nëse kjo do të kërkohet nga subjekte parlamentare të interesuar. Ne duam që Parlamenti shqiptar të kthehet në një pushtet real që garanton lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Ajo që konsiderohet thelbësore për ne propozuesit e këtij ndryshimi/shtesë në ligjin për komisionet hetimore është pikërisht pika 3 e nenit 4 të projektit, nen i cili amendon nenin 17 të ligjit ekzistues. Norma e re në këtë projektligj që kërkohet të miratohet (ndryshimi i nenit 17) parashikon se një ndër veprimet hetimore që lidhet me verifikimin e dokumentacionit dhe të dhënave të tjera që ndihmojnë në hetimin e zgjedhjeve mund të jetë edhe hapja e një ose disa kutive të materialeve zgjedhore apo të fletëve të votimit. Rrëzimi i këtij neni do të thotë praktikisht edhe rrëzimi i vetë iniciativës. Ne kemi theksuar gjatë gjithë debatit të zhvilluar në Komisionin e Ligjeve se kjo është thelbësore, por jo e panegociueshme. Pretendimi i mazhoranës për mos-hapjen e kutive për shkak të një vendimi gjyqësor, do të mund te konstatohej si lehtësisht i pabazuar edhe në rast se do të kryenim një tjetër arsyetim po brenda logjikës së tyre. Marrim të mirëqenë logjikën e tyre (sipas nesh të gabuar) se vendimi i Kolegjit eventualisht interpretohet si shkak ndalues për hapjen e kutive në njësitë zgjedhore objekt shqyrtimi, cili vendim gjyqësor edhe sipas këtij arsyetimi ndalon hapjen e kutive, që u përkasin njësive të tjera zgjedhore që nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit gjyqësor?! Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë për 3 zona të caktuara dhe ato kanë fuqi të lidhur me mosmarrëveshjen për objektin e caktuar të gjykuar nga kolegji. Asnjë vendim gjyqësor në RSH – përveç vendimeve të GJK kur gjykon mbi kushtetutshmërinë e akteve normative - nuk ka fuqi me efekt të përgjithshëm. Përderisa, në gjykimin e zakonshëm, vendimet gjyqësore nuk kanë efekte erga omnes (efekt të përgjithshëm, për të gjithë), por vetëm efekte inter partes (efekt vetëm midis palëve, për palët), ato nuk e shtrijnë efektin e tyre në zonat zgjedhore, që nuk i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Edhe nga kjo pikëpamje, (duke arsyetuar brenda logjikës së tyre) rrëzohet pseudoargumenti i mazhorancës për të kufizuar mjetet e hetimit për shkak të vendimeve të gjyqësorit, sidomos në zonat e tjera që nuk i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor.

Ju zhvilluat një debat të gjatë në Komisionin e Ligjeve nuk arritët t’i zgjidhni këto çështje kaq të debatueshme?

Debati i zhvilluar gjerësisht në komision shpresoj të ketë pasur edhe një vlerë tjetër të rëndësishme. Ka qartësuar shumë gjëra, një pjesë edhe të panjohura, për opinionin publik. Kolegët e mi socialistë, të qetë edhe përballë disa provokimeve të arsyeshme, argumentuan qartas nga këndvështrime të ndryshme dhe me nivel të lartë profesional, qëllimin dhe bazueshmërinë në Kushtetutë e ligj të iniciativës sonë ligjore. Prezantuam në komision edhe dy opinione ligjore shumë të çmuara të Komisionit të Venecias që argumentojnë qartazi se objekti dhe mjetet e provat e hetimit të kërkuar nga minoranca nuk mund të kufizohen. Ky ishte gjithashtu një tjetër argument në favor të faktit se përpjekja politike për ta futur këtë proces në rrugë pa krye duke kërkuar komente mbi komentet dhe interpretime mbi interpretimet do të ishte padyshim marrëzia politike e radhës. Prezantuam gjithashtu një precedent të qartë të hapjes së kutive zgjedhore pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe daljes së rezultatit përfundimtar nga ana e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor. Precedenti është i vitit 2005 kur KQZ e asaj periudhe vendosi dhe organizoj hapjen e kutive zgjedhore me kërkesë të komisionit hetimor parlamentar të asaj kohe. Prezantuam gjithashtu precedent të ngjashëm për hapjen e kutive zgjedhore (pas shpalljes se rezultatit përfundimtar) nga parlamente dhe organizata të vendeve të tjera demokratike si rasti i SHBA, Irlandës etj. Argumentuam me shembuj konkretë trajtime të ngjashme nga legjislacioni dhe jurispidenca në disa vende demokratike të europiane, me përvojë shumë të konsoliduar në këtë fushatë si Britania, Gjermania, Italia etj., të raportit të opozitës me mazhorancën në ngritjen e komisioneve hetimor, të drejtën e opozitës për moskufizimin në objekt dhe mjete e provat e marra nga komisioni hetimor etj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›