E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kreu i KQZ-së, Gjata: Materialet zgjedhore, kutitë janë në arkiv

Deklarata Sipas ish-drejtuesit të KQZ-së, për të gjetur këto të dhëna nuk ka nevojë as për komision hetimor

Kërkesa e Partisë Socialiste për shqyrtimin e kutive të materialeve zgjedhore në funksion të hetimit parlamentar të zgjedhjeve nuk ka asnjë pengesë praktike. Të paktën, sipas interpretimit juridik të ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çlirim Gjata, shqyrtimi i materialeve zgjedhore, si listat dhe tabelat e rezultateve, është i mundshëm jo vetëm përmes hapjes së kutive, por edhe në rrugë arkivore. “Sot s’ka nevojë të hapen kutitë e materialeve, sepse kur digjen fletët e votimit, ato arkivohen, pra i gjen në arkiv dhe nuk ka nevojë as për komision hetimor”, u shpreh ai. Ky sugjerim profesional që vjen nga një ish-zyrtar i së djathtës, në fakt zbulon një faturë politike për opozitën, e cila lidhet me procedurën e arkivimit të materialit zgjedhor, që sipas fjalës së tij bëhet “pas djegies së fletëve të votimit”. Për më shumë që vetë Gjata nuk ka munguar të shtojë se hetimi i ngritur vetëm mbi materialet zgjedhore është i paqëndrueshëm, por nuk u ballafaqua me fletët e votimit. “Sado të hapësh një kuti materialesh, ajo mbetet jo vetëm gjysmake, por ngelet e vdekur po nuk u krahasua me çështjen e votave”, tha ish- kreu i KQZ-së. E thënë thjesht, sinteza e këtij gjykimi sugjeron kotësinë e hetimit përmes kutive të materialeve zgjedhore, pasi vetëm fleta e votimit ofron mundësi reale transparence. Ky ballafaqim është i pamundur në termat aktualë politikë, sepse procesi verifikues i tyre bllokohet nga arsyetimi që kapet fort pas vendimeve të gjykatës. Ndërkohë, një argument më shumë që i jep të drejtë PS-së për hapje të kutive të materialeve zgjedhore është precedenti i krijuar në vitin 2005, kur një kërkesë e ngjashme e saj u mor parasysh dhe u miratua. Lidhur me këtë prononcim, ish-kreu i KQZ-së analizon me mjete juridike lojën politike të opozitës, që mori një veto paraprake në Komisionin e Ligjeve. “Në 2005, komisioni hetimor kërkoi të verifikonte tabelat e rezultateve dhe tabelat e rezultateve ndodhen në kutinë e materialeve zgjedhore. Sot kërkohet rinumërimi i votave, krahasimi me listat”, u shpreh ai. Të paktën nënteksti i sjellë në vëmendje prej Gjatës jep të kuptojë se kërkesa për hapje të kutive të materialeve zgjedhore, shoqëruar me rastin e Ruzhdies, është vetëm një hap që përmes konstatimit të shkeljeve, të diktojë mandej rivlerësimin me fletët e votimit. Pra të riciklojë kërkesën për hapjen e kutive të votimit, tanimë jo në emër të pretendimit politik, por të fakteve konkrete që janë bërë që tani publike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›