Autonomia vendore, të majtët në protestë
Bashkitë e majta kanë nisur protestat e paralajmëruara kundër qeverisë për cenimin e autonomisë vendore dhe decentralizimin. Protestat kanë nisur dje në Bashkinë e Pogradecit, ndërkohë që këtë herë organizimi masiv dhe përshkallëzimi i këtyre protestave ka përfshirë edhe grupet sociale që preken nga vendimet e qeverisë dhe mosveprimet e saj me marrjen e masave për nxjerrjen e vendit nga kriza. Administrata bashkiake ka dalë në shesh kundër cenimit të autonomisë lokale dhe asaj fiskale që prek buxhetet e njësive të qeverisjes vendore dhe kryesisht bashkitë e komunat e majta, ndërkohë që protestave u janë bashkuar edhe qytetarë dhe përfaqësues të sindikatave që i kanë bërë thirrje qeverisë dhe Kryeministrit të vendit të marrë masa kundër varfërisë ekstreme dhe mostrajtimit të kategorive sociale në nevojë. Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Erjon Vesho, ka deklaruar se protestat nuk do të ndalen deri në reagimin nga ana e qeverisë për të mos prekur dhe cenuar pavarësinë e njësive të qeverisjes vendore. Ndërkohë që nga ana e sindikatës së minatorëve i është bërë thirrje Kryeministrit të vendit për njohjen e statusit të minatorit, për zbutjen e varfërisë në një kohë që dyqanet janë mbushur nga listat për shkak se njerëzit nuk kanë më të ardhura as për të blerë bukën. Qytetarë të Pogradecit i janë bashkuar protestës së iniciuar nga ana e bashkisë me parulla kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, rritjes së çmimeve në treg të ushqimeve, mostrajtimit të kategorive në nevojë etj. Protestat do të vijojnë edhe në ditët e tjera dhe pritet të ketë përshkallëzim të tyre në të gjitha bashkitë e majta.
#